Art dhe Kulturë

Vjena do dëgjojë shqip në koncertin operistik të fundvitit

Vjena do dëgjojë shqip në koncertin operistik të fundvitit

Saimir Pirgu do të jetë një nga të ftuarit në koncertin operistik të Vjenës. Në një intervistë për Euronews Albania, tenori shqiptar zbuloi se do të interpretojë dy vepra. Një do të jetë në shqip “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit dhe tjetra një arie e Ennio Morricone-s që e humbëm këtë vit.

“Vjena është krejtësisht e mbyllur dhe televizioni austriak këtë vit mendoi që për të gjithë teleshikuesit e Austrisë, por edhe më gjerë të krijonte një koncert televiziv, jo të ashtu-njohurin që bëhet çdo vit. Kështu zgjodhi disa nga artistët internacionalë për të marrë pjesë, dhe një ndër ta jam edhe unë, që do të këndoj dy pjesë. Kam zgjedhur dy arie, njërën me tekstin e poetit tonë, rilindasit tonë, Naim Frashëri, “Fjalët e Qiririt”, që për gjendjen që ndodhemi do të ishte shume mirë që kjo drita e qiririt të ndriçonte ndopak këdo që ka trurin të mjegullt këtë periudhë. Gjithashtu edhe melodinë e Ennio Morricon-es që këtë vit e kemi humbur dhe kjo në kujtim të tij, mendova “Nella Fantasia”, është a-ja më e mirë për të rikujtuar mjeshtrin e madh. Mesa munda dhashë mundësi që të këndohej shqip, një arie shqip në televizionin austriak".

Koncerti do të mbahet online nga 21 deri në 24 dhjetor.

*Burimi Euronews Albania