Art dhe Kulturë

Kur ideohej një libër! “Dermokozmetologjia” e Iva Çaushaj, i pari në llojin e tij

Kur ideohej një libër! “Dermokozmetologjia” e Iva

Iva Çaushaj (Vaso), një farmaciste e dashuruar pas së Bukurës ka shkruar të parin manual të “Dermokozmetologjisë” në gjuhën shqipe. Një libër dedikuar jo vetëm studentëve të Shkencave Kozmetologjike, por të gjithë atyre që duan të njohin një ndër organet më të mëdha në trupin e njeriut, lëkurën, në çdo qelizë dhe dinamikë të saj.

Për shumë vite, si farmaciste, jam përpjekur të këshilloj dhe orientoj pacientët drejt një përkujdesje më të madhe ndaj lëkurës së tyre. E tillë përqasje u shndërrua në një pasion - pasioni për të përqafuar dermoestetikën si profesion. Por, edhe pasioni për të Bukurën, për ta krijuar atë, edhe aty ku të tjerë e kanë të vështirë ta veçojnë. Këto ishin shtysat, të cilat më projektuan drejt një rrugëtimi të ndryshëm profesional. Por, pa harruar asnjë çast se, themelet e forta të këtij formimi qëndrojnë pikërisht në bazat kimike, farmaceutike dhe mjekësore, përqafuar vite më parë.

Formimi në Shkencat Kimike, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe diplomimi në Universitetin e Mjekësisë, Fakulteti Farmaci, më projektuan në sektorin farmaceutik, ku kam shërbyer prej më shumë se një dekade. Përgjatë kësaj periudhe industria farmaceutike, gjihnjë e më shumë është orientuar drejt botës kozmetologjike, duke krijuar një sinergji të tillë, të cilën, shumëkush e njeh nën petkun e kozmeceutikës. E tillë përqasje ka mundësuar krijimin e formulimeve të reja kozmetologjike dhe kozmeceutike, në ndihmë të një prej organeve më të mëdha që ne gëzojmë - lëkura.

Kur ideohej një libër! “Dermokozmetologjia” e Iva

Të punosh në “Universin e së Bukurës” është kënaqësi, por, mbi të gjitha përbën një sfidë!

“Kur mendoj për të Bukurën, në mënyrë krejt të pavetëdijshme udhëtoj në vitet e fëmijërisë sime. Copëza të shkëputura kujtimesh më pështjellojnë mendjen. Duhet të kem qenë diku rreth dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe kur në shtëpinë tonë vjen një dhuratë e pazakontë për kohën. Ishte një poster i kornizuar i “dy duarve”, të cilat rrekeshin të takoheshin pafundësisht me njëra-tjetrën. Ndjesia e parë ishte e çuditshme, e pakuptueshme, por intriguese dhe magjepsëse! E shikoja pafundësisht, çdo ditë, e përhumbesha në të! Për mua ishte e bukur! Kështu, fillova të mendoja për një Bukuri, e cila shtrihej përtej bindjeve dhe modeleve të mia të kohës. Sikurse do të mësoja më pas, “posteri im” ishte një fragment i pikturës së Kapelës Sistine, “Krijimi i Adamit”, realizuar nga Michelangelo, përgjatë viteve 1508-1512. Një prej pikturave më madhështore në historinë e njerëzimit, e cila, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, më frymëzoi të krijoja një koncept ndryshe mbi të Bukurën.”

Unë e shoh botën e dermoestetikës: të lidhur pashmamgshmërisht me bukurinë e brendshme, e cila do të reflektohet më pas, në atë ç’ka sytë tanë shijojnë. Ky është edhe vizioni, të cilin dëshiroj të transmetoj, mes studentëve të mi, më së pari, dhe në brezat pasardhës të profesionistëve kozmetologë.

Një profesionisti në fushën e kozmetologjisë i duhen mekanizma të rinj, për t’u lartësuar në aspektin profesional. Pikërisht, në ndihmë të këtij formimi profesional, mbi shkencën e kozmetologjisë, libri “Dermokozmetologjia”, manuali i parë dermoestetik tërësisht në gjuhën shqipe, vjen tek lexuesi, si një ndërthurje midis koncepteve themelore teorike dhe një përqasjeje, edhe personale, në praktikat estetike.

Edhe pse, ky libër, më së pari u dedikohet studentëve, të cilët kanë përzgjedhur të përqafojnë shkencat kozmetologjike, në fakt, është konceptuar si një literaturë, e cila, mund të jetë një bashkëudhëtare besnike edhe përgjatë viteve të ushtrimit të profesionit. Gjithashtu, “Dermokozmetologjia” gjen terrenin e saj, më së miri, edhe në shkencat farmaceutike dhe dermatologjike, ku mund të përqafohet, si nga studentë, po ashtu edhe nga profesionistë.

Rrugëtimi drejt botimit të këtij libri ka qënë, sa i vështirë, po aq edhe përmbushës! Umberto Eco ka shkruar: “Nuk besoj që dikush shkruan vetëm për veten e tij. Unë mendoj se, të shkruash është një akt dashurie. Ti shkruan, me qëllimin dhe dëshirën, për t’i dhuruar tjetrit.”

Pasioni mbi shkencën e kozmetologjisë dhe dermoestetikën, sikurse, dëshira për të krijuar dhe transmetuar një literaturë, tërësisht në gjuhën tonë amtare mbi këto disiplina, u shndërruan në inputet e para të këtij projekti, i cili u finalizua me sukses, edhe falë mbështetjes së familjes sime, kolegëve dhe Kolegjit të Lartë Profesional TESS – institucioni ku hodha hapat e mi të parë drejt botës së dermoestetikës.

Përmes këtij libri, do të zbulojmë tërësinë e njërit prej sistemeve më të mëdha fiziologjike të trupit tonë, Sistemi Tegumentar (lëkura, flokët, thonjtë, gjëndrat e djersës dhe ato të yndyrës). Do të njihemi me sekretet e lëkurës dhe anekseve të saj. Gjithashtu, do të hidhet dritë mbi lidhjet e tij të fshehta me sistemet e tjera fiziologjike, të cilat, ndërthuren në mënyrë të pashmangshme me suksesin e trajtimeve dermoestetike. Jo vetëm që, do të njohim lëkurën dhe llojet e saj, por do të mësojmë se si t’i dhurojmë asaj përkujdesjet dhe dashurinë e duhur, për të realizuar me sukses qëllimin estetik. Gjithashtu, do të njihemi me produktet kozmetike, format e tyre fizike e kimike, mënyra se si prodhohen, paketohen dhe ambalazhohen, principet aktive, lëndët mbushëse dhe shtuese, duke i hyrë në gjenezë përbërjes së tyre kimike dhe formulimeve kozmetologjike. Natyrisht, lexuesi do të gjejë emrat dhe mbiemrat e substancave kimike, të cilat, formulojnë produktet kozmetike, duke u aftësuar në këtë mënyrë, në leximin e qindra substancave kimike, të cilat në pamje të parë, duken të pakuptueshme.

Vetëm përmes kësaj njohjeje të thellë, ne do të mund të projektohemi përkundrejt një Bukurie, e cila, nuk i përket vetëm pamjes së jashtme. E tillë Bukuri, në të cilën, qëndrojnë të ndërthurura, në harmoni të plotë, elementët e një individualiteti unik.

Për të gjithë ata, të cilët, ende besojnë tek e bukura!

Iva Çaushaj (Vaso)