Art dhe Kulturë

Poeti dhe patrioti i pashoq Lefter Çipa shuhet në Himarë në moshën 79 vjeçare

Poeti dhe patrioti i pashoq Lefter Çipa shuhet në Himarë

Poeti vlonjat Lefter Çipa është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. Mësohet se poeti ka ndërruar jetë në Himarë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Ai ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh. Çipa do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si mjeshtri i madh i poezisë popullore.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa është autor i 18 librave të botuar me poezi si : “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj. Konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë.

Lefter Çipa është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si “Bejkë e bardhë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Zoga kaçake në male”, “Këngë kurbeti”, “Vito Pëllumbesha”, “Hënëz e qiellit të gjerë”, “Moj unaza gur jeshile”, “N sokak të ngushtë”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Kënga e manushaqes”, ” Zonjë e bukurisë”, etj.

Poezi nga Lefter Çipa

Si kalojnë vitet, si gjumi në varre,
Fuqia më pritet, gjaku s’më ka zjarre.
Shpirti më venitet, se s’pret më behare,
Nëpër mall zvarritem, shpresa s’duket fare.

Po më duken ditët, netë me errësirë,
Sikur vërtet thikët, zemërën ma grijnë.
Çdo gjë është e kriptë, qumështi bëhet hirë,
dhembje përmbi brinjë, loti loton sytë.

Koha vërtet ngriu, sytë u mjegulluan
Trupi seç më shkriu, m’u prenë këmbë e duar.
S’më fryn më veriu, se më ka harruar,
Më harrojnë qejflinjtë, me ‘ta kam kënduar.

S’di ç’mu bë guximi, pse më është larguar?
Nga meraku shpirti, më rri i trazuar.
S’po duket bilbili, ka kohë pa dëgjuar
Apo s’vjen më prilli që ish shok me mua?!

Verë e hidhëruar, duhani m’është prerë,
Kujtesa mërguar, s’ka më për tu kthen’,
Dashuritë u shuan, s’duroj dot më erë,
Fjalë e sertësuar, plakë e s’e merr dhenë.

Paska qenë kjo jetë, një erë e shpejtuar,
Gjumërehatin humba, gëzim pakësuar.
Pa mundime s’ngelem, unë mundim-rënduar
Dot tek vetja s’mbeta, lundroj dëshpëruar.

Hapësirë e ngushtë, deti një kazan
Errësirë e shumtê, nata veç më plak.
Besimi i ngurtë jep e merr me xhan.
Filli n’u këputtë, s’më vjen keq aspak.

*Tiranapost.al.