Art dhe Kulturë

“Pinoku”, Teatri më i ri për të vegjlit në natyrë, te Liqeni

“Pinoku”, Teatri më i ri për të vegjlit në

Një nga hapësirat e Parkut të Liqenit, e njohur si Bisedkat e vjetra të arkitektit Maks Velo, është transformuar në një teatër të hapur në natyrë për fëmijët. Teatri veror do të mbajë emrin “Pinoku” dhe është një dhuratë nga Bashkia e Parmës dhe Fondacioni “Collodi”, për nder të shkrimtarit të madh italian, që krijoi personazhin e famshëm dhe të dashur për fëmijët, Pinoku.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe homologu i tij nga Parma, Federico Pizzarotti, së bashku me një grup fëmijësh, përuruan sot Teatrin më të ri në qytet, ku është vendosur edhe instalacioni i “Pinokut”, vepër e artistit të njohur shqiptar, Klement Zoraqi.

Veliaj u shpreh se Tirana është një qytet në progres, çka e thotë qartë edhe transformimi i Parkut të Liqenit, nga një hapësirë e mbushur me kioska dhe plehra, në një nga zonat më të parapëlqyera për qytetarët dhe turistët.

“Pinoku”, Teatri më i ri për të vegjlit në

“Kjo është një nga ato pikat ku ne kemi ndërhyrë për ta shndërruar në një hapësirë çlodhëse, një teatër me shfaqje për fëmijë. Është shumë e rëndësishme që të bëjmë nga pak progres çdo ditë. Fakti që pak orë nga ndeshja e mbrëmshme, ku e gjithë zona e Liqenit ishte e pushtuar nga tifozët, e gjejmë të pastër dhe jemi gati të rikuperojmë me punët e reja, me projektet e reja dhe me këtë Teatër fantastik, flet shumë se çfarë kulture kemi në qytetin tonë. Fakti që të gjithë ata njerëz që erdhën nga Roma dhe Roterdami, u befasuan nga një Tiranë e pastër, me njerëz të kulturuar, mikpritës dhe një qytet që di t’i përballojë flukset të mëdha, tregon se më e mira është përpara”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se vendimet që merren sot për qytetin janë të rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve. “Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: “Punët që bëjmë në Tiranë, a janë më mirë për fëmijët apo më keq? Nëse punët që bëjmë e prishin qytetin, nuk i rregullojnë këto hapësira, nuk i pastrojmë, atëherë është më keq për brezin që vjen. Nëse puna jonë prodhon hapësira të tilla, ku ju mund të shkëlqeni, mund të tregoni talentin tuaj, mund të duartrokiteni, do të thotë se kemi bërë diçka të mirë. Unë besoj se përgjigja është: Kjo që bëjmë është më mirë për fëmijët, jo për muhabetet e vjetra të të rriturve, por për muhabetet e reja të fëmijëve. Do të thotë se kemi bërë gjënë e duhur”, tha ai.

“Pinoku”, Teatri më i ri për të vegjlit në

Në prag të 1 qershorit dhe të “Javës Italiane të Kulturës”, Festës së Fëmijëve, Tirana po bëhet gati për një sërë aktivitetesh të rëndësishme. “Ne kemi disa aktivitete në prag të 1 Qershorit. Së pari, do të hapim Kopshtin Zoologjik, i cili u mbyll sepse nuk kishte kushtet e nevojshme. Sa herë që do të ndryshosh diçka, ngrihet ajo histeria e fillimit: Mos e prek këtë, mos e prek atë! Por, sot bëmë mirë që e prekëm Liqenin, e pastruam, e çliruam dhe rregulluam shumë prej këtyre hapësirave, që kanë qenë të vandalizuara. Bashkë me Komunën e Parmës do të kemi “Ballon me maska” të Verdit, por kemi disa aktivitete me Ambasadën Italiane, për atë që do jetë “Java Italiane e Kulturës”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzarotti, nënvizoi se përurimi i Teatrit Collodi (Pinoku) do të jetë një nga vendet e binjakëzimeve mes dy qyteteve. Të parët që u ngjitën në skenën e teatrit të ri në kryeqytet ishin nxënësit e një prej shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit, të cilët performuan aventurat e Pinokut.