Nensi Dojaka, kush është stilistja që po bën namin me veshjet e saj dhe që mahniti edhe Edi Ramën

Nensi Dojaka është shqiptarja që ka fituar çmimin LVMH për dizajnerët e rinj. Kështu e nis esencën e lajmit New York Times, për 28-vjeçaren nga Shqipëria që jeton në Londër.

Të gjitha mediat e huaja po shkruajnë sot për Nensin, vajzën që Tiranapost e ka prezantuar me lexuesit 2 vjet më parë.
Lajmin për të e ka postuar në rrjete sociale edhe kryeministri i vendit Edi Rama që shkruan: “NENSI DOJAKA fituese e çmimit prestigjioz të Fondacionit Louis Vuitton për stilistët e rinj. Çfarë talenti! Çfarë krenarie!”
Stilistja shqiptare krijon veshje për gratë, fillimisht vetëm të brendshme, por jo ato të zakonshmet. Stilimet e Nensit janë të veçanta, kanë një stil unik dhe kanë joshur Bella Hadid, Miley Cyrus, Rihhana-n dhe të tjera.
Çfarë fiton Nensi nga ky çmim?
Nensi do të marrë një fond prej 300 mijë eurosh dhe një vit mentorim me profesionistë të Louis Vuitton.
Vetë Nensi ç`mendon?


“Nuk mund ta besoja se kisha fituar, u shokova. Jam shumë e lumtur, sepse kam një vizion të feminitetit që dua ta ndaj me botën. Unë e adhuroj trupin e femrës. I dashuroj klavikulat dhe kurrizin. Mendoj që fustani im i zi bëri të vetën për t`iu ngazëllyer njerëzit të dilnin për të festuar sërish. Ato duan të ndihen seksi dhe elegante”, tha Nensi pasi mori çmimin e përzgjedhur mes 9 finalistësh dhye 1900 aplikantësh.
"Unë do ta zgjeroj pak ofertën, kështu që do të krijoj më shumë veshje dhe do ta bëj markën pak më të plotë. Kur fillova, kisha një bazë klientësh shumë të rinj dhe tani me koleksionin që po zgjerohet po ndryshojnë gjërat. Kam një klientelë më të gjerë. Tani, do të kem edhe më shumë mundësi për të zhvilluar gjëra", shton Nensi.