Art dhe Kulturë

Ndahet nga jeta mbreti shqiptar i tangos, Rudolf Stambolla

Ndahet nga jeta mbreti shqiptar i tangos, Rudolf Stambolla

Këngëtari shkodran Rudolf Stambolla i cilësuar si mbreti i tangos shqiptare e muzikës së lehtë të para viteve '90 u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare.

Stambolla u lind më 1931-shin në Tiranë. Prindërit e tij zhvendosen nga Shkodra për në Tiranë, para se Rudolf Stambolla të vinte në jetë. Rikthimi i tij për ca vite në Shkodër, më 1940, do të ndryshojë rrjedhat e muzikës shqiptare.

Rudolf Stamboll është këngëtari romantik ka sjellë “Gjethet e vjeshtës”, “Këndo kitara ime”, “Dashuria e parë”, “Nën dritare”, “Malli i dashurisë”, etj.

Më 1943 kthehet në Tiranë, ndërsa më 1946 do të jetë pjesë e grupit “Havajana”, të parit grup shqiptar të muzikës së lehtë. Anëtarë të këtij grupi ishin që të gjithë muzikantë me nam: Njac Guralumi (kontrabas), Medi Prodani (kitarë), Mustafa Zymeri (klarinetë e saksofon) dhe kompozitori i madh shqiptar i muzikës së lehtë, Agim Prodani (fizarmonikë).

I cilësuar si këngëtar i tangos dhe i dashurisë, Rudolf Stambolla tregoi vite më vonë se muzika italiane ka qenë ajo që e ka frymëzuar në karrierën e tij si këngëtar.