Art dhe Kulturë

Shuhet bilbili i këngës popullore, Sali Brari

Shuhet bilbili i këngës popullore, Sali Brari

Është ndarë nga jeta një nga bilbilat e këngës popullore shqiptare, Sali Brari, në moshën 85-vjeçare. Lajmin e bën të ditur Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, që me anë të një postimi në rrjetet sociale i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve të artistit të ndjerë.

Sali Brari u lind në Tiranë më 18 maj të vitit 1935. Që në shkollën fillore u shpërfaq talenti i tij me zërin e ëmbël e të ngrohtë, duke u aktivizuar në aktivitetet muzikore të asaj periudhe.

Në vitin 1956, Sali Brari u emërua këngëtar pranë Estradës së Shtetit. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ai iu bashkua kësaj trupe, derisa sa doli në pension. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu edhe Liceun Artistik pranë degës e kantos.

Postimi i plotë:

Lamtumirë – Bilbilit të këngës popullore Sali Brari.

Shtegtoi edhe një bilbil....

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi ndarjen nga jeta të artistit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtari me vokalin e veçantë, artisti me aftësi të rralla, Sali Brari.

Sali Brari u lind në Tiranë më 18 maj të vitit 1935. Që në shkollën fillore u shpërfaq talenti i tij me zërin e ëmbël e të ngrohtë, duke u aktivizuar në aktivitetet muzikore të asaj periudhe. Në vitin 1956, Sali Brari u emërua këngëtar pranë Estradës së Shtetit. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ai iu bashkua kësaj trupe, derisa sa doli në pension. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu edhe Liceun Artistik pranë degës e kantos.

Në repertorin e Sali Brarit gjejmë një larmi këngësh popullore, këngë të përpunuara, këngë popullore të krijuara nga kompozitorët tanë, deri tek interpretimi prej tij në operetën “Vjeshtë e artë” e kompozitorit Tish Daija si dhe opera “Skënderbeu”.

Sali Brari shndriti në çdo shesh e në çdo skenë të vendit. Po aq i suksesshëm ishte edhe në turnetë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Europë, Azi e Afrikë, duke i mahnitur të huajt me fuqinë interpretative dhe zërin aq të veçantë e melodioz. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në fushën e interpretimit të muzikës popullore, Kuvendi Popullor e ka vlerësuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të I-rë.

Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOBAP i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë të artistit Sali Brari.

I përjetshëm do të mbetet kujtimi i tij.