Ndahet nga jeta Arben Duka, poeti që krijoi himnin e Policisë së Shtetit

Është ndarë nga jeta ditën e sotme, në moshën 64-vjeçare poeti Arben Duka.
Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Lajmin e ka dhënë Aleksandër Çipa.
Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin "Aleksandër Xhuvani. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë. Është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkëautor këngë të ndryshme.
Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristik dhe satirikë në shumë të përditëshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet "Intervistat E Kaso Kosës" në gazetën "Intervista" duke qënë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Arben Duka është më së shumti një poet lirik.
Një nga poezitë e Arben Dukës.
Pas “Lamtumirës”…
Dikur, kur shkrova “Lamtumirë”,
Pyeta veten pse u ngute,
Se përveç vdekjes s’ka në botë,
Asgjë më tjetër absolute!
Gjithmonë me vete kam menduar,
Ajo që shkoi iku u prish,
Por edhe çasti i kaluar,
Plotë me shkëlqim kthehet sërish!
Se jeta s’paska vetëm rrenga,
Nuk është veç helm e pelin,
Se vjen një ditë e shuhet brenga,
Papritur syri merr shkëlqim!
Kaluan nuk e di sa vite,
Dhe zjarri i parë u ndez sërish,
Në qiellin tim ti u përndrite,
Si një dhuratë perëndish!
Me dhimbje shtyj ditë, mote,
As unë as ti nuk kishim vdekur,
Në zemrën time ndjenja jote,
Ç’më kishte mbetur e paprekur!
Nga gjumi letargjik u zgjova,
Sa kisha fjetur nuk e di,
Të falem, zot, që e takova,
Sërish të parën dashuri!
Himni i Policisë së Shtetit!
Teksti i Himnit:
"Si burim me rrjedh nga zemra, ky motiv, ky frymëzim, sa një det më ndizet kënga, Polici e vendit tim!…
Ligjin e kemi babë e nënë, mbrojmë shpresën, mbrojmë jetën, tek ky popull hodhëm rrënjë, asnjëherë nuk jemi vetëm.
Policia-Policia në çdo hap jeta thërret, ti je nderi, krenaria, se ti jetën mbron me jetë.
Jetën në rrezik e kemi, ditë e natë jemi ne, si një këngë shprese jemi, për të dashurin tonë, Atdhe. O, sa djem, lule rini, e vunë jetën në altar, dhe emrin polici, mban në zemër çdo shqiptar”.