"Marie Kraja", si u mbajt fjala e dhënë brezit të shkuar të artistëve

"Të ngremë këtu në kryeqytetin tonë Tiranë një kompeticion ndërkombëtar, ku të promovohen talente, yjet e të ardhmes së skenave ndërkombëtare operistike ka qenë për mua "një fjalë e dhënë" të gjithë artistëve të brezit të shkuar, që nga Marie Kraja e deri tek ata të viteve '90, të cilët edhe pse shumë të talentuar nuk mundën asnjëherë të promovonin talentin e tyre krahas kolegëve ndërkombëtarë e nuk mundën asnjëherë të këndonin në 'La Scala', 'Met Opera', 'Vienne Statte Opera apo "Minich Statte Opera" etj. Ta mbëjmë këtë festival e ta kthejmë në traditë është përpjekje e fortë për t'i dhënë vendit atraksione të qëndrueshme të turizmit kulturor".
Me këto fjalë Presidentja dhe themeluesja e festivalit të Vokalit Operistik, Zana Cela ka përshëndetur festivalin që nis sonte në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe transmetohet të Top Channel.
Pas rreth 300 aplikimesh nga e gjithë bota, juria në përbërje të së cilës janë drejtues të Operave europiane dhe agjenci menaxhimi këngëtarësh ka bërë përzgjedhjen paraprake dhe në netët finale do konkurrojnë 16 artistë. Nata e sotme është vetëm për konkurentët dhe jurinë, ku në qetësinë e duhur këngëtarët do të vlerësohen teknikisht. Kurse dy netët e tjera do të jenë të ndërtuara në formën e spektaklit, i cili në sajë të bashkëpunimit me Top Channel, gjatë të dyja netëve do të mund të shihet dhe nga shikuesi i gjerë televiziv, me regjinë e Redi Trenit.
Dirigjenti i orkestrës dhe gjithashtu Drejtor Artistik i Festivalit vjen nga Anglia dhe është i mirënjohuri Martin Andre, tashmë një nga emrat bazë të festivalit, . Prezantuese e festivalit, ashtu si dhe një vit më parë është një emër i lidhur ngushtësisht me "Marie Krajën", sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani. Ajo ka triumfuar në këtë skenë në vitin 2015 dhe prej aty nisi një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare. Tashmë Kamani rikthehet në këtë skenë si prezantuese, por dhe për të kënduar. Në një rol të veçantë në prezantim, festivalit këtë vit i është bashkuar gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Salaj ndërsa Vikena Kamenica, përveçse anëtare jurie do të ketë një rol special.
Nuk do të mungojë në festival edhe trupa e baletit, e gjitha me kërcimtarë të rinj dhe mjaft të talentuar. Këngëtarët lirikë, sic është traditë do të konkurojnë në dy gara: gara e arieve dhe ajo e këngës. Këtë vit, e reja është që këngët lirike, më të njohurat e më të dashurat e repertorit botëror dhe shqiptar do të vijnë në formën e dueteve. Natën e parë të konkursit këngëtarët - konkurentë do kenë duete me njëri tjetrin, kurse në finale ata do të këndojnë me artistët të të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Emra të njohur si Aurela Gaçe, Eneda Tarifa, Venera Lumani, Lind Islami, Kamela Islamaj, Era Rusi, Elhaida Dani dhe Juliana Pasha do të këndojnë krah këngëtarëve operistikë në garë dhe pa dyshim kjo do jetë një nga pjesët më të mezipritura të këtij spektakli.