Art dhe Kulturë

Libri i pedagoges shqiptare në Londër, Lea Ypi! Një rrëfim mes humorit dhe filozofisë për lirinë

Një libër që është ende në përkthim në shtëpinë botuese ‘Dudaj’, dhe në Britani është marrë nga ‘Pinguin’ një nga shtëpitë botuese prestigjioze. Ende pa dalë libri i Lea Ypit ka marrë review të shkëlqyera. Bëhet fjalë për një libër që tregon fëmijërinë e shkrimtares në komunizëm dhe më pas në liberalizëm. Humor dhe filozofi.

Libri i pedagoges shqiptare në Londër, Lea Ypi! Një rrëfim

Në intervistë me Ilva Taren në 'Euronews Albania' Lea Ypi tregoi se libri i saj është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve.

“Libri flet për një fëmijë që rritet në fund të viteve ‘80 në Shqipërinë e komunizmit, është një lloj roman formimi, romani i rritjes, ku personazhi kryesor rritet, kapërcen fëmijërinë dhe përjeton hyrjen në adoleshencë, ndërkohë që edhe shteti ku ajo jeton pëson të njëjtin transformim. Pra, është një fëmijë që kërkon lirinë në një vend që është gjithashtu në kërkim të lirisë. Në libër flitet për në fëmijë shumë të zakonshëm që rritet në një ambient të jashtëzakonshëm dhe kupton në dalje të fëmijërisë se këto dy botëkuptime ishin të kundërta. Nga njëra anë mësimet morale në shkollë dhe nga ana tjetër bisedat e fshehta dhe të censuruara në familje. Ky është pasazhi traumatik për të cilin flet libri, i një fëmijë që kur kalon në adoleshencë që kupton se shkolla dhe familja të çonin në drejtime të kundërta. Ndërkohë që edhe shteti përjetonte të njëjtën traumë. Më kujtohet edhe një lloj hutimi kolektiv i përjetimit të shoqërisë shqiptare”, thotë Lea Ypi.

Mësuese Nora është një personazh i rëndësishëm në libër, e cila siç shprehet Lea ka qenë një nga burimet e formimit të saj.

“Ajo ishte mësuesja e edukatës morale dhe ishte ajo që të jepte konceptet bazë për t’u orientuar në një shoqëri socialiste ndërsa ende nuk kishte arritur tek komunizmi, i cili ishe utopizmi drejt të cilës duhej shkuar. Trauma ime ishte kur mësoj se mësuesja më kishte treguar se unë jetoja në një gënjeshtër, që ne ishim një shoqëri të lirë. Atë që ne i konsideronim armiq të klasës ishin ata me të cilët jetoja çdo ditë. Për arsye të censurës, në familjen time nuk flitej hapur që ishim të persekutuar. Ndërkohë që unë edukohesha për t’u bërë një qytetare e mirë socialiste, prindërit e mi nuk bënin asgjë për ta penguar këtë”.

*Tiranapost.al.