Art dhe Kulturë

Letra e Abraham Lincoln për mësuesin e djalit të tij, që duhet rilexuar sot në ditën e parë të shkollës

Letra e Abraham Lincoln për mësuesin e djalit të tij, që

Letra që ish-presidenti amerikan i shkroi mësuesit të djalit të tij, duhet rilexuar edhe sot, në ditën e parë të shkollës nga mësuesit, prindërit, por edhe nxënësit.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër gjithë kontinentet. Aventura që mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.
Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit për dore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë dhe se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë me nder dhe si t’i gëzohet fitores.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë dhe i ashpër me të ashpërit. Mësojeni t’i qëndrojë sa më larg zilisë dhe mësojini sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar dhe se të qash nuk është aspak turp.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu jepini edhe kohën e mjaftueshme për të vështruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni djalit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që do dëgjojë në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ai që i jep ofertën më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Dhe lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë do të ketë gjithmonë besim sublim tek njerëzimi dhe tek Zoti.

Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë dhe është biri im.

Me respekt
Abraham Lincoln