Art dhe Kulturë

#Korçamakerspace në funksion të trashёgimisë & turizmit kulturor të njё destinacioni

#Korçamakerspace në funksion të trashёgimisë &

Duke mbështetur kulturën Zhvillon turizmin,

Duke zhvilluar turizmin Mbështet kulturën”

Trashëgimia Kulturore është një grup burimesh të trashëguara nga e kaluara, të cilat njerëzit i identifikojnë, pavarësisht nga pronësia, si reflektim dhe shprehje të vlerave të tyre vazhdimisht në zhvillim, besimeve, njohurive dhe tranzicionit. Ajo mund të kategorizohet në:

Trashëgiminë e prekshme: Ndërtesat, monumentet, faktet, arkivat, veshjet, veprat e artit, librat, makinat, qytetet historike, vendet arkeologjike etj.; Trashëgiminë e paprekshme: Praktikat, përfaqësimet, festival, gjuhët dhe traditat gojore, artet e interpretimit dhe zanatet tradicionale, etj.; Trashëgiminë dixhitale: Burimet që janë krijuar në një formë dixhitale (për shembull arti dixjital dhe animacioni) ose që janë dixhitalizuar si një mënyrë për t'i ruajtur ato (përfshirë tekstin, imazhet, videot dhe regjistrimet).

Trashëgimia kulturore dhe turizmi janë shpesh të lidhur dhe plotësues me njëri-tjetrin, sikurse dhe kanë përgjegjësi të ndryshme.

Pse turizmi kulturor dhe interesi për trashëgiminë është kaq i përhapur në ditët e sotme?

Përgjigja qëndron tek kërkesa në rritje për këtë tip turizmi dhe tek përfitimet që turizmi kulturor siguron. Përvec kësaj, turizmi kulturor sjell përfitime për operatorët turistikë (që përfshijnë trashëgiminë kulturore në paketat turistike) dhe komunitetet, të cilat jo thjesht sigurojnë fitime, por edhe përmirësojnë mënyrën dhe stilin e jetës. Prandaj është në interes të publikut t’i mbrojë dhe të vendosë për mënyrat sesi ato do të përdoren.

Turizmi me synim kulturën dhe trashëgiminë kulturore konsiderohet për këtë shekull si një prej aktiviteteve me impakt të lartë në industrinë turistike.

Sipas studiuesve, turizmi kulturor përcaktohet si “lëvizja e njerëzve drejt atraksioneve kulturore larg vendbanimit të tyre, me qëllim mbledhjen e informacioneve dhe eksperiencave për të kënaqur nevojat e tyre kulturore”; si dhe “Turizmi kulturor nuk është vetëm turizmi i trashëgimisë kulturore. Turizmi kulturor punon si një rrjet dhe përfshin lloje të artit, sic janë muzika, teatri, vallja…”.

Sot turizmi kulturor po ndryshon në mënyrën në të cilën turistët e konsumojnë kulturën dhe në mënyrën në të cilën kultura ofrohet për konsum turistik. Parashikimet tregojnë se investimet në trashëgiminë kulturore do të rriten duke e kthyer si produktin më të rëndësishëm të shekullit të 21-të dhe përcaktues të të ardhmes së komuniteteve.

Debatet e sotme zhvillohen në pyetjen “ nëse “ dhe “sesi” trashëgimia kulturore, turizmi dhe zhvillimi të integrohen në mënyrë të qëndrueshme.

Në vitet e fundit, rëndësi tek turizmi kulturor po i jepet jo vetëm pjesëmarrjes së komunitetit në përgjithësi, por dhe e të rinjve në vecanti.

Për të rritur interesin e të rinjve, do vlerësohej e rëndësishme kontributi i tyre konkret në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore me anë të workshop-eve, prezantimeve, punëve krijuese dhe vullnetare për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës në destinacion.

Si pjesё e turizmit kulturor shihet edhe turizmi religjioz. Motivi fetar, si motiv udhëtimi për vizitorë vendas dhe të huaj është evident në Shqipëri.

Problemet që ndeshet turizmi kulturor

Zhvillimi i turizmit kulturor, bazuar tek trashëgimia kulturore ka dhe problematika që duhet të njihen dhe të minimizohen nga aktorët e zhvillimit turistik, përfshirë dhe komunitetin.

Mund të përmendim midis të tjerave edhe: Mirëfilltësia - në rrugëtimin e tërheqjes së vizitorëve në një destiancion turistik, ndodh që historia e tij të shtrembërohet, në interpretimin e saj apo të fakteve nga e kaluara; Në kohën e urbanizimit - komunitetet po humbasin shumë shpejt trashëgiminë e tyre kulturore jomateriale; Mungesa e dyqaneve suveniresh - në disa pika të rëndësishme të qytetit, si dhe brenda akomodimeve turistike; mungesa e suvenireve apo produkteve të tjera kulturore, identifikuese të rajonit, por dhe me një gamë të larmishme. Madje ka mungesë të theksuar të paketimit të produkteve kulturore; Mungesa/mosfunksionimi i një muzeu në fshatrat turistike; Turistët jo gjithmonë kanë akses në objektet kulturore për t’i vizituar (oraret kur janë hapur) dhe mungesa ndjeshëm e udhërrëfyesit turistik për atraksionet kulturore.

Ndërsa nga njëra anë interesi turistëve të huaj për potencialet e trashëgimisë kulturore, po vjen në rritje, nga ana tjetër këto objekte po përballen me probleme të shumta, siç janë dëmtimet e shkaktuara nga faktori kohë dhe ai human.

Menaxhimi që i bëhet sot objekteve të trashëgimisë kulturore, përveç qëllimit të ruajtjes dhe konservimit duhet të synojë edhe rritjen e cilësisë së saj si produkt turistik. Ёshtë më se i nevojshëm: inventarizimi i plotë i potencialit të trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore. Kjo do të realizohej nëpërmjet krijimit të një database, të plotësuar me informacionin për secilin objekt; Përmirësimi i aksesit të turistëve në muzeume dhe marrja e një informacioni të plotë. Për këtë duhet të sigurohen materiale të printuara për muzeumet; cireronë të trajnuar (pjesë e personelit të muzeumit), por dhe marrja e udhërrëfyesve të autorizuar; dhe vendosja e sistemeve elektonike të guidës; Rritja e kapaciteteve profesionale të stafeve që punojnë në sektorin e turizmit kulturor me qëllim përmirësimin e menaxhimit të vlerave të trashëgimisë mbetet për t’u realizuar.

Hotelet duhet të kenë të reklamuar produkte e rajonit në një kënd të recepsionit dhe të jenë për t’iu shitur turistëve. Këto do të jenë jo vetëm produkte që reklamojnë trashëgiminë kulturore, por njëkohësisht janë në përmasa dhe material komod, estetik dhe të lehtë për t’u marrë me vete nga turistët.

Këto dyqane suveniresh do të synojnë që turisti të “marrë një pjesë të Korçës” me vete në vendbanimin e tij.

#KorçaMakerspace - suvenire për turistë dhe banorë

Shqipëria është e njohur për një traditë të pasur të artizanatit të krijuar prej shekujsh nga mjeshtra në krahina të ndryshme të saj, duke u dalluar për shumëllojshmëri. Spikatin punimet në dru, në hekur, bakër, alabastër dhe materiale të tjera si ar, argjend, lëkurë. Këto kanë rritur interesin e turistëve sidomos të huaj.

Artizanati mund të përdorë pikërisht mundësitë që i ofron një Makerspace, sepse dixhitalizimi është tendencë e kohës dhe do ndihmojë që produktet artizanale të njihen dhe të tregtohen përtej kufijve lokalë, madje dhe përtej kufijve kombëtarë .

Një numër i lartë i personave që vizitojnë objektet e kultit dhe kryejnë ritualet fetare, është i pranishëm në të gjitha kremtimet fetare brenda vendit. Në këto vizita, individët janë të interesuar të blejnë dhe suvenire fetare.

#KorçaMakerspace, i pari në Shqipëri në përdorimin e teknologjisë 3D në prodhimin e suvenireve dhe jo vetëm, iu përgjigjet vizitorëve (vendas dhe të huaj); turistëve (vendas dhe të huaj); banorëve të komunitetit, duke plotësuar mungesën e produkteve të tilla për këto grupe.

Prof. Assoc. Dr. Eleina Qirici