Art dhe Kulturë

Intervista që më ndryshoi jetën, për gjithçka i detyrohem Milan Kunderës

Intervista që më ndryshoi jetën, për gjithçka i

“Milan Kundera më ka ndryshuar jetën”, shkruan në librin e tij autobiografik të sapobotuar Alain Finkielkraut, një prej filozofëve dhe intelektualëve më të dashur dhe njëkohësisht më të urryer në Francë. Pse? Ai e shpjegon në këtë intervistë.

Si e keni njohur Kunderën?
Në vitin 1978, korrespondenti i atëhershëm i “Corriere della Sera” Alberto Cavallari, kishte rënë dakord me Michel Foucault për të krijuar një ekip të vogël i cili do të tregonte tendencat e reja intelektuale që po krijoheshin dhe të realizonte disa reportazhe idesh që do të publikoheshin në gazetë. Unë isha një lloj sekretari i përgjithshëm i kësaj celule dhe bëra dy reportazhe: një për të djathtën libertariane në Shtetet e Bashkuara dhe një tjetër me Benny Lévy për normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe Egjiptit. Më pas propozova një intervistë me Milan Kunderën dhe Foucault ishte shumë entuziast, duke më nxitur ta provoja. Kështu i telefonova shkrimtarit të madh çek i cili gjendej në Paris.

Kundera edhe sot njihet për faktin se nuk jep intervista.
Si edhe për faktin se nuk përgjigjet në telefon. Ose përgjigjet bashkëshortja Vera, në mënyrë gjithmonë e më evazive. Por kokëfortësia ime mposhti frikën e tyre dhe lashë një takim. Në fund, arrita ta intervistoj.

Një bashkëbisedim i jashtëzakonshëm i cili për tre ditë zuri “faqen e tretë” të “Corriere della Sera” në qershor 1980. Folët për ekzilin, për pranverën e Pragës, për Çekosllovakinë, për marksizmin lirik që vazhdonte të magjepste gjithë ata intelektualë.
Lindi kështu një miqësi që zgjat deri sot dhe për mua është një bekim. Atij i detyrohem për kuptimin më të mirë të botës në të cilën jetoj. Kundera foli për një realitet që të gjithë besonim se e njihnim shumë mirë, totalitarizmin sovjetik, por me një fjalor të papërdorur ndonjëherë: prezantoi emrat e vendeve, të civilizimeve. Pranë paradigmave “komunizëm dhe kapitalizëm”, “totalitarizëm dhe demokraci”, Kundera shpjegoi se ajo që ndodhte në Europën qendrore nuk përmblidhej vetëm në tragjedi politike, ideologjike, por fliste për një lojë “ruso-sovjetike”. Civilizimi rus donte të zotëronte civilizimet e tjera dhe Çekosllovakia ishte perëndimi i kolonizuar. Për ne, që kishim marrë pjesë në luftën e Vjetnamit, dukej një absurd. Perëndimi, përpara se Kundera të thoshte këto gjëra, ishte vetëm kolonizator. Kundera më bëri të kuptoj se në Europën qendrore zhvillohej ajo që më pas do të quhej “përplasje mes qytetërimeve”.

Me sytë e Kunderës ju më pas vëzhguat konflikte të tjera?
Ai këndvështrim më shoqëron edhe sot. I detyrohem Kunderës për mënyrën se si interpretova luftën në ish-Jugosllavi, duke mbështetur të drejtat e kroatëve dhe sllovenëve për t’u bërë pjesë e Europës, sepse Jugosllavia, një shtet i ndarë mes alfabetit latin dhe cirilik, nuk ishte një komb. Dhe nuk e harroj mësimin e Kunderës kur shoh efektet e ndryshimeve demografike në Europë. Gilles Kepel flet për një “frakturë franceze” dhe mendoj se është e vërtetë, pasi një pjesë e emigrantëve refuzojnë të asimilohen pasi vijnë nga një civilizim tjetër, prej të cilit nuk kanë ndër mend të heqin dorë. Pastaj Kundera ishte thelbësor për mua edhe në studimet letrare.

Ju pajtoi me romanin.
Kishim një ide radikale për modernitetin, që në letërsi do të duhej të shfaqej si braktisje e paraqitjes së jetës reale në roman. Epoka e re e romanit, siç thoshte Roland Barthes, “festa e kuptimit”, do të duhej të ishte objekt në vetvete. Por erdhi Kundera dhe na tregoi një histori krejt tjetër: të jesh modern nuk do të thotë të thyesh çdo marrëdhënie me të shkuarën, por të avancosh me zbulime të reja në rrugët që kemi trashëguar.

Dhe në këtë mënyrë arritët te Philip Roth.
Sërish falë Kunderës u afrova me romanin si formë investigimi i realitetit njerëzor, me veprat e Dostojevskit, Henry James, Joseph Conrad, Vasilij Grossman, Albert Camus dhe më vonë të Philip Roth, pa dyshim romancieri tjetër që ka ndikuar shumë tek unë. Librat e tij nuk rrinë kurrë në raft, duhet t’i rilexoj vazhdimisht. Si Kundera, Roth ka formësuar vizionin tim për botën. Shihni çmendurinë e “cancel culture” që është shfrenuar në SHBA sot, këta njerëz të egër të mendimit të djathtë që dominojnë universitetet: është Njolla njerëzore e Roth.

Një hap i vogël prapa: Si u njohët me Michel Foucault?
Në vitin 1977 Foucault i shkroi një letër Pascal Bruckner, që së bashku me mua ishte autor i “Çrregullimi i ri i dashur”, duke i bërë komplimente. Aty ne shpjegonim se liria seksuale për të cilën flitej aq shumë nuk i dha drejtësi as dëshirës dhe as dashurisë.

Dhe kështu, Alain Finkielkraut, sot imazhi i intelektualit të hekurt, mori pjesë një pasdite në një festë lizergjike në shtëpinë e Foucault.
Nëse e tregoj këtë episod nuk është për t’i dhënë ritëm tregimit, por për të treguar nivelin e mendimeve të hapura që kishte Foucault. Në atë kohë, droga gjendej kudo dhe një të dielë pasdite një prej miqve të tij më telefonoi duke më thënë: “Kemi ca Lsd, eja”. Kështu përfundova në rue Vaugirard. Kam lindur në vitin 1949, kam qenë pjesë e “gjashtëdhjetë e tetës” siç thuhet. Por kurrë nuk e kam pëlqyer kanabisin, ndoshta sepse nuk tymos. Por Lsd-në e pëlqeja. Për hir të Zotit, e kam përdorur vetëm ndonjëherë, por asgjë e jashtëzakonshme, asnjë haluçinacion, vetëm kam përjetuar ndjesinë e të qeshurit me njerëzit që kisha përreth. Në përgjithësi, më pëlqen më shumë të jem hiperaktiv sesa i mërzitur. Gjithsesi, atë pasdite shkova te Foucault dhe ai më hapi derën. Në tapet gjendeshin drogëra, por i zoti i shtëpisë më ftoi në zyrën e tij të punës për të folur. Diskutuam për shumë gjëra deri në perëndim të diellit.

Më 1 maj 2002, në ditët e mobilizimit kundër Jean-Marie Le Pen i cili kaloi në balotazh në zgjedhjet presidenciale, ju morët pjesë në një debat republikan në Bataclan, një vend i destinuar për t’u bërë tragjikisht i famshëm, së bashku me kryeministrin e ardhshëm Jean-Pierre Raffarin, presidentin e munguar Dominique Strauss-Kahn dhe të tjerë. Ju ishit i vetmi që thatë fraza si: “Është e turpshme që njerëzit që kanë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën e mesme Henri IV në Paris, i lejojnë vetes t’u japin mësime periferisë që të votojë për Le Pen”.
Jam i lumtur që ju i mbani mend këto fjalë dhe i lehtësuar sepse druhesha se kisha marrë pjesë edhe unë në atë klimë teatrale, lirike dhe fantazmagorike në të cilën të gjithë dukeshim sikur bënim rezistencë. Ishte qesharake të flitej për Jean-Marie Le Pen si rikthim të fashizmit. Nuk ishte e vërtetë. Po, në disa periferi franceze njerëzit nuk ndihen më si në shtëpi dhe përgjigja si atëherë ashtu edhe sot është ta përballesh me një shqetësim legjitim këtë problem, por jo ta braktisësh problemin në duart e të djathtës ekstreme për ta kriminalizuar më pas.

Gjërat sot kanë ndryshuar dhe ju nuk jeni më i vetëm. Por çfarë mendoni për disa liderë si Trump?
Është e tmerrshme që vullneti për t’i thënë gjërat siç janë është mishëruar në një president megaloman dhe tekanjoz si një fëmijë. Spektakli që sot ofrojnë Shtetet e Bashkuara është dekurajues: përballet një Parti Republikane e përfaqësuar në formë karikature nga Trump dhe një e majtë radikale që praktikon një “cancel culture” në të cilën Joe Biden duket se është i burgosur. Njëri shtrëngon tjetrin. Kemi ngecur në kthetrat e dy idiotësive.

*Alain Finkielkraut është filozof francez, autor i shumë librave mbi traditën dhe identitetin, kolonializmin francez, asimilimin e emigrantëve, arsimin dhe luftërat e Jugosllavisë. U bë pjesë e Departamentit të Letërsisë Franceze në University of California në vitin 1976, ndërsa nga viti 1989 deri në 2014 ishte profesor i Historisë së Ideve në “Ecole Polytechnique” në Francë. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.