Art dhe Kulturë

Biseda TIP/ Ledia Agolli ose përkthyesja e librit që kemi lexuar të gjithë

Biseda TIP/ Ledia Agolli ose përkthyesja e librit që kemi lexuar

Kur i nisa këto pyetje, Ledia m’u përgjigj nga kuzhina e saj ku gatuante për një drekë miqsh. Diku tek 6 persona. "Po, gatuaj shumë dhe më pëlqen të pres miq për dreka ose darka"- thotë ajo.

Ishte një drekë me prodhime deti. Ndërkaq bisesa ime nuk ishte me shumë det dhe as e kaltër. Doja të merrja nje gjendje si një screenshot, nga përkthyesja e Khaleid Hossein, në shqip. Për ironi të fatit Hossein foli për CNN dhe e përkthyem në tiranapost.al, por prapë kjo është një bisedë që ka vlerën e saj.

25 gusht 2021

Mira Kazhani: Afganistani na kujtoi librat e Khaleid Hossein, në pamundësi të shkrimtarit mendova që mund të bisedojmë më përkthyesen. Sepse përkthyesja është njeriu më i afërt i një autori apo jo?

Ledia Agolli: Uroj që po (qesh) dhe çka e vërteton më mirë këtë është lexuesi. Sa e dashur është bërë ajo vepër për lexuesit tanë këtu.

Mira Kazhani: Çfarë do t’i thoje dikujt që nuk e ka lexuar “Gjuetarin e Balonave” të Khaleid Hossein?

Ledia Agolli: Do i thoja që ta lexojë një orë e më parë, veçanërisht në ditët që po jetojmë kur Afganistani është kthyer sërish në titujt kryesorë të lajmeve. "Gjuetari i balonave" është një libër që do ta lexojnë me një frymë, ka frymëzuar miliona lexues dhe do të mbetet brenda teje për një kohë të gjatë sepse të rrëmben dhe të thyen zemrën dhe na rikujton tani më shumë se kurrë se sa e gjatë dhe ndërlikuar ka qenë dhe është rruga e historisë së këtij populli ndaj dhunës dhe forcave regresive që e kërcënojnë fatkeqsisht edhe sot.

Do thoja gjithashtu të lexojnë dhe “Njëmijë diej vezullues”, tani që kanë ardhur talebanët...

Mira Kazhani: Çfarë ke ndjerë kur e përktheje?

Ledia Agolli: Ah sa kam qarë... edhe kur e pata lexuar thjesht për vete, edhe kur punoja për ta përkthyer... ishte një fat që pata fatin të sillja në shqip një vepër që e kisha ndjerë aq shumë. Jetoja në SHBA në vitet kur u botua dhe ma rekomandoi librashitësi, i bindur se do më pelqente po aq shumë sa i kishte pëlqyer të gjithëve, ndërkohë që SHBA-të zgjoheshin çdo ditë me lajmet që çeleshin me emrat ushtarëve të rinj të vrarë në Afganistanin e largët. Vepra e Khaled Hooseinit shërbeu atëherë e besoj dhe sot, si një pikë hyrëse, si një dritare për të kuptuar më mirë atë botë të largët, historinë, kulturën dhe zakonet e atij vendi. Dhe këtë Hosseini di ta bëjë kaq mirë, thjesht dhe bukur...

Mira Kazhani: Përkthyesi më duket si një shkrimtar në hije, ai bëhet lëkura e e dytë e autorit, një zgjatim i letërsisë së tij, mesazheve dhe sidomos fjalës së duhur, çfarë raportesh ke me autorët që përkthen?

Ledia Agolli: Do doja shumë ta meritoja çdo fjalë, pikë e presje të pyetjes tënde Mira (qesh) ..,dhe me thënë të vërtetën ashtu më pëlqen ta mendoj dhe unë. Prandaj librat që kam zgjedhur dhe kam patur mundësinë të përkthej janë vepra që i kam dashur, më kanë lënë gjurmë, ndjeshmëri dhe emocione që jam munduar t'i përsjell dhe në shqip. “Gjuetari i Balonave” ka qenë përkthimi im i parë dhe një lloj rastësie e solli tek unë. Le të themi që kjo punë nuk u nis për tek unë, por fati ma solli mua ndoshta pse e kisha përjetuar dhe dashur shumë. Por, kjo është një histori tjetër. (qesh). Zakonisht më tërheq vepra dhe jo autori në librat që kam përkthyer, veç rastit të përkthimit tim të fundit, kur autorja ishte më intriguese se libri vetë, edhe sepse libri nuk ishte ngjizur ende në momentin kur vendosëm së bashku me Arlinda Dudaj që përkthimin do e merrja unë. E kam fjalën për Michele Obama-n.

Mira Kazhani: Mendon që Michele Obama e ka shkruar vetë të të gjithë librin? Në sensin që në përgjithësi kanë të gjithë Ghost Writters, shkrimtarët fantazma por ky është përkthim i keq, i mirë do të qe shkrimtarët hije. Apo jo?

Ledia Agolli: Po e di që flitet shpesh për këto lloja "fantazmash" (qesh), po në rastin e Obamës besoj që e ka shkruar vetë ajo, sepse si i tillë pati dhe ka sukses të këtyre përmasave. Sigurisht që nga pas është një listë e gjatë redaktorësh, korrektoresh, etj që latojnë dhe përsosin çdo fjalë dhe besoj dhe lista e gjatë e njerëzve që ajo falenderon vetë në libër dëshmon për këtë.

Mira Kazhani: Ke takuar ndonje nga autorët?

Ledia Agolli: Ah sa do të doja të të thosha që kam takuar Hosseinin, Obamën, Ondatjen, Jumpa Lahirin, Nick Hornby-n sepse janë që të gjithë shkrimtarë të spikatur, me çmime prestigjioze letrare, me famë në mbarë botën, me libra që janë bërë edhe filma si rastin e “Pacientit Anglez” apo “Gjuetarit të Balonave”... Ndoshta ndonjë ditë, dikur.. do takoj ndonjërin prej tyre... bota ndonjëherë është dhe shumë e vogël..

Mira Kazhani: Kë do doje dhe çfarë pyetjesh të shkaktojnë disa prej tyre?

Ledia Agolli: Sot... ashtu si gati 20 vjet më parë do doja të takoja Hosseinin... për arsye të kuptueshme në të tashmen që po përjetojme dhe gjithashtu thjesht për kënaqësinë e takimit më një shkrimtar që nuk lindi që në krye të herës i tillë... dhe sigurisht edhe Obamën... gruan e vitit në vitin 2019, autobiografia më e shitur në vitin 2019 dhe libri i vitit 2019, ..një rrugëtim kaq frymëzues...

Mira Kazhani: Ju përktheni për pasion? Jeni në një fushë që ka pak lidhje me letërsinë? Do e tregosh punën tënde të parë?

Ledia Agolli: Po.. besoj që po, për kënaqesinë që më jep ky proces sa krijues aq edhe intim, vetmitar, por edhe përmbushës.

Puna ime parë fare ka qenë në vitin 1992, kur isha studente, shoqëroja dhe përktheja për një grup gazetarësh hollandezë.

Mira Kazhani: Të shoh në një shtëpi me shumë trëndafile dhe jargavënët në pranverë të bëjnë të dukesh më shumë përkthyese. Ku përkthen? Sa orë?

Ledia Agolli: Ah po... jaseminë dhe lulebore gjithashtu (qesh).. me kaq shume lule Mira, kushedi sa romane duhej të kisha shkruar... sa po më pëlqekan këto përshkrimet e tua. (qesh) .. në fakt po "Një mijë diej vezullues" e kam përkthyer tërësisht atje, buzë detit. Normalisht, duke qenë se përkthimi nuk është puna ime e vetme ose e parë, më duhet të sakrifikoj mbrëmjet, orët e vona, kur të gjithë dystohen për filma, apo argëtohen jashtë, ose janë në gjumë. Ato janë orët më krijuese, dy-tri orë në ditë, çdo ditë, sepse procesi i përkthimit ka nevojë për ritmin e vet.

I veçantë ka qenë “Gjuetari i Balonave” për të cilin kam punuar me intensivisht, 5-6 orë në ditë dhe ka dalë në shtyp për tre muaj.

Mira Kazhani: E bukur po, por po aq e madhe shqipja, sa të ofrojë të gjithë thesarin e fjalëve përballë anglishtes, një gjuhe që ka aq shumë sinonime për një fjalë?

Ledia Agolli: Shqipja për mua është me e bukura dhe s'mund të ishte ndryshe. E madhe po ashtu, pyetja është sa mirë e njohim dhe përdorim atë, fjalët janë aty të fshehura apo të fjetura, po duhen zbuluar dhe risjellë në vendin dhe muzikalitetin e duhur.

Mira Kazhani: Tek përkthen, çelësi është ta kuptosh, ta ndjesh, t'i hysh nën lëkurë autorit dhe veprës... fjalitë e fjalët paskëtaj mbijnë vetiu.

Ku i kërkon fjalet e duhura? Kujt fjalori i referohesh?

Ledia Agolli: Më shumë se çdo gjë mundohem të përdor fjalorin sinonimik, por kur përkthej i referohem librit dhe në një gjuhë tjetër, variantin italisht në rastin tim, jo vetëm për krahasim por dhe italishtja është me e ngjashme me shqipen me menyrën e ndërtimit të fjalive.

Mira Kazhani: Si po i kalon këto ditë vere? Lexon?

Ledia Agolli: Sa çudi që jemi në ditët e fundit të verës, iku dhe një verë tjetër me diell, det, miq, udhetime të vogla dhe sigurisht libra... po kohët e fundit kam blerë më shumë libra se ç'kam lexuar..

Mira Kazhani: Jeni aktive në Instagram, të paktën nuk e keni të ngrirë apo të ngadalshëm. Çfarë të pëlqen më shumë nga ai përveç filtrave ( qesh)?

Ledia Agolli: Haha.. kemi nevojë dhe për ca filtra në jetë (qesh)!

Instagrami është porta që më lidh me shumë gjëra përfshi lajmet, brenda e jashtë, interesa të shumëllojshme nga kultura, historia, kinemaja, bota e artit, modës, fotografia, dizajni dhe arkitektura, destinacione apo profile që thjesht më kënaqin apo frymëzojnë..si dhe më mbajnë të lidhur me shumë njerëz që mund t'i kemi afër ose larg ...dhe siç mund ta vërtetosh lehtë është gjithnjë dhe Tirana Post që shfaqet në krye të rradhës, të cilën e ndjek me shumë kënaqësi.

Mira Kazhani: Faleminderit për besimin!

A po shkon bota e fletëve të librit drejt kapitullimit me median sociale dhe me faqet online?

Ledia Agolli: Nuk a di a jam unë ajo që mund të të jepja një përgjigje të saktë, por për mendimin tim po, sepse media sociale të rrëmben pa kuptuar shumë kohë. Si për çdo gjë tjetër, në kohërat e teknologjisë dhe kaq shumë shpërqëndrimeve të vogla a të mëdha edhe leximi duhet planifikuar.

Mira Kazhani: Faleminderit

Tiranapost.al