Aktualitet

Zjarret në Voskopojë, Peleshi: Kanë qenë të qëllimshme, autorët do të vihen para drejtësisë

Zjarret në Voskopojë, Peleshi: Kanë qenë të

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një deklaratë për mediat nga Voskopoja ku ndodhet për të monitoruar betejën e zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura me vatrën e re të ndezur atje, ka komentuar situatën e zjarreve në vend.

Peleshi ka thënë se zjarret kanë qenë të qëllimshme, pasi në zonën e Voskopojës moti është i freskët dhe nuk mund të ketë zjarre për shkak të temperaturave të larta, gjithashtu fakti që 5 vatra janë ndezur paralelisht janë një tjetër tregues se ato kanë qenë të qëllimshme.

Ai ka paralajmëruar se të gjitha rastet do të hetohen dhe përgjegjësit do të marrin dënimin e metirtuar. Më tej, Peleshi ka thënë se situata në Karaburun vazhdon të jetë e vështirë, por është lehtësuar së tepërmi për shkak të ndihmës nga BE.

Deklarata e ministrit Niko Peleshi:

Para një ore, këtu në Voskopojë ka pasur një shpërthim zjarri, një vatër që nuk nxitoj të them që është e qëllimshme sepse në të njëjtën kohë patëm 5 vatra të ndryshme. Është shumë e rrezikshme si vatër, pasi zjarri ka depërtuar në zemër të pyllit. Gjithsesi ka disa rrethana pozitive. Sapo kemi bërë një konsultë me komandantin e zjarrfikësve të Bashkisë së Korçës. Kemi forca të vazhdueshme do të kemi dhe katërfishin të tyre për pak. Është fatalitet nëse do të dështonim këtu. Por rreziku është i shtuar nëse flakët kapërcejnë në zona më të dendura të parkut.

Falenderoj forcat zjarrfikëse. Kemi 60 trupa të FA në lartësinë e Karaburunit, aty ku fillon Parku i Llogarasë. Kemi përcaktuar strategjitë se si do të bëjmë disa ndërhyrje me teknikat e mbrotjes nga zjarri. Besoj do të jetë një natë e sigurt edhe kjo. Kemi pas zjarre në Fier. Jemi të shqetësuar për vatrën në Thirrë, në Tunelin e Kalimashit, është situatë e vështirë, por besojmë se do e mbajmë nën kontroll. Ne tashmë kemi dhe mjetet tona dhe ndihmat e BE, njëri prej tyre është në territor ndërsa tjetri në Rinas, i gatshëm për të zëvendësuar dhe kombinuar fluturimet. Bëhet fjalë për helikopterët që kanë kapacitet deri në 10 mijë litra. Ai ka operuar në zonën e Karaburunit, ndërsa helikopteri tjetër ka punuar në Veri, dje, edhe sot ka pasur fluturime aty.

Këtu ka një grup të vogël turistësh, prioritet është jeta e tyre. Policia kufitare ka ndërhyrë për t’i evakuuar dhe mbajtur larg vatrës. Janë zjarre dinamike. Këtu në Voskopojë, ku dhe jemi, është freskët përgjithësisht, kështu që zjarret nuk mund të vijnë nga natyra, por nga dora e robit. Ka shumë arrestime, disa të tjerë janë nën hetim. Nëse në letër është sipërfaqe e gjelbër, t’i bëj ç’të duash nuk ndërton dot, o keqbërës, o kriminel, sepse realisht kemi prekur dorën kriminale në të gjithë vendin, që qëllimet merren me mend. Do të merremi shumë fort pas kësaj, për të shmangur këto ngjarje në të ardhmen.

Tiranapost.al