Zjarret në Shëngjin rrezikojnë banesat dhe bizneset! Kërkohet ndihma e KFOR
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë që prej mbrëmjes së djeshme zona të ndryshme në Shëngjin, duke rrezikuar banesat e bizneset që ndodhen aty pranë.
Situata shfaqet shumë alarmante, ku një shtëpi dhe një lokal janë djegur, teksa zjarri vijon të përhapet me shpejtësi, i ndihmuar edhe nga era.
Mbi 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale janë angazhuar për të shuar flakët.
Qindra turistë dhe banorë janë evakuuar, teksa në ndihmë kanë shkuar dhe dy avionë Canadair të mbrojtjes civile evropiane.
Pasdite autoritetet u kërkuan banorëve të lagjes pranë portit të zhvendoseshin për shkak të frikës së ndonjë shpërthimi të mundshëm pasi pranë ndodhej një karburant me një cisternë gazi 5 mijë litra.
Ndërhyrja nga ajri me dy avionë Canadair të ardhur nga Italia ndihmuan për të vënë nën kontroll situatën. Ndërkohë operacioni u ndërpre pasi fluturimi i avionëve natën është i pamundur.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili mbërriti në Shëngjin pasdite vonë tha se është kërkuar dhe ndihma e KFOR.
"Jemi në kontakte me KFOR për të marrë helikopteret e tyre. Në rast se ndalet era dhe parashikohet të ndalet në mesnatë, gjëja do ndryshoj për mirë. E gjitha punë jonë është e pamundur të jap rezultatin që duam. Kjo është një përmbledhje e momentit. Po luftohet më shumë se 24 orë pa ndërprerje. Dhe na duhet një pjesë e zjarrfikësve në vende ku shfaqen vatrat e reja të zjarrit. Aktualisht në Shëngjin janë 5 vatra aktive" tha Balla.
Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.