Aktualitet

Vrasja e planifikuar në Elbasan: Kush është Everest Çaka, e kaluara dhe dëshmia e bashkëshortes së tij

Vrasja e planifikuar në Elbasan: Kush është Everest

Ekzekutimi i 41 vjeçarit Everest Çaka mbrëmjen e djeshme në Elbasan duket se ka qenë i mirëorganizuar. Para atentatit, autorët kanë improvizuar një aksident për ta patur më të lëhtë ndalimin dhe vrasjen 41 vjeçarit i cili po lëvizte me makinë me gruan e tij.

Bashkëshortja e viktimës, Silvana Çaka për të cilën thuhet se është në gjendje të rënduar psikologjike, ka dhënë dëshminë e saj në polici. Ajo ka treguar se dje kishin dalë nga shtëpia e prindërve të saj, pas një darke dhe më pas kanë hipur në makinë. Gjatë rrugës, një makinë u ka rënë nga pas. Pas ndalimit të makinës nga 41 vjeçari, një person ka dalë nga makina dhe i është afruar duke e qëlluar me të paktën 15 plumba. Xhami i në krahun e Everest Çakës i cili po drejtonte mjetin ka qenë i hapur duke e bërë më të lehtë për autorët, e largimin e shpejtë të tyre nga vendi i ngjarjes. Për shkak të të shtënave, bashkëshortja e tij u plagos pasi e preku një plumb në dorë, por pa rrezik për jetën:

‘Sapo dolëm nga shtëpia e prindërve të mi, jetojnë me qira në lagjen ‘Skëndërbej’. Sapo makina jonë nisi lëvizjen një mjet na goditi nga pas. Kujtuam se ishte aksident, dhe pashë një burrë që u afrua tek xhami dhe mbante në duar një armë me të cilën në afërsi të xhamit të parë ku ishte Everesti qëlloi disa herë. Dola për të kërkuar ndihmë tek banorët dhe njerëzit që ndodheshin aty’, ka dëshmuar ajo në polici.

Paraprakisht dyshohet se autori ka përdorur armë silenciator. Pas vrasjes, autori bashkë me persona të tjerë në makinë janë larguar me shpejtësi, makinën e kanë djegur në afërsi të Kavajës.

Për ngjarjen janë shoqëruar në polici rreth 25 persona, në cilësinë e dëshmitarëve apo personave që mund të kenë informacione. Pista kryesore që po ndjek policia për hetimin është ajo e hakmarrjes dhe larjes së hesapeve pasi edhe e kaluara e 41 vjeçarit lidhet me disa vrasje që janë kryer në Elbasan.

Çaka kishte vetëm pak javë që ishte kthyer nga Gjermania, ndërkohë që lëvizte me makinën e shokut të tij, pavarësisht se kishte vetë disa makina të shtrenjta. Një tjetër pistë hetimi është edhe larja e hesapeve për prishje të pazarit të drogës. Para 10 ditësh, Everest Çaka është marrë në pyetje nga prokurorët belgë në lidhje me vrasjen e kushëririt të tij Arjan Spahiut, në Belgjikë.

41-vjeçari sipas mediave, rezulton të ketë pasur lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë disa vite më parë. Një vëlla ia kanë ekzekutuar në Barcelonë, dhe kushëririn në Belgjikë.

Arjan Spahiu, kushëri i Everest Çaka është vëllai i kunatit të Erion Alibej, ky i fundit u arrestua nga prokuroria e Elbasanit si i dyshuar për urdhërimin e dy vrasjeve në Elbasan, më 20 dhe 29 korrik, ndaj Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Porkuroria po vijon hetimet për ngjarjen e rëndë, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth vendit të ngjarjes për të identifikuar autorin dhe personat e tjerë të përfshirë.

*Tiranapost.al.