Aktualitet

Vihet nën kontroll zjarri i rrezikshëm në Mamurras, kryebashkiakja: Ishte i qëllimshëm

Vihet nën kontroll zjarri i rrezikshëm në Mamurras,

Zona e Mamurrasit u përfshi dje nga zjarri duke vënë në rrezik 5 banesa dhe banorë aty pranë. Por pas ndërhyrjes që thuhet të ketë zgjatur me orë, dy vatrat janë vënë nën kontroll. Megjithatë kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara ka thënë se zjarri ka lënë pas dëme të mëdha.

“Pas orësh të tëra përpjekjesh janë neutralizuar vatrat e zjarrit në zonën e Mamurrasit duke lënë pas dëme të mëdha. Mirënjohje për çdokënd që dha kontribut në këtë ditë të vështirë, së pari për forcat e Zjarrëfikseve Kurbin, Lezhë, Mirditë, Krujë e Kamëz, trupat e Forcave të Armatosura, Policinë e Shtetit e çdo banor të zonës për ndihmën e pakursyer”, njofton ajo.

Por duket se zjarri nuk është shkaktuar nga temperaturat ekstreme. Kryebashkiakja thotë se zjarri ka qenë i qëllimshëm ndërsa ka bërë thirrje që të gjendjen përgjegjësit dhe të vihen para drejtësisë.

“U takon organeve kompetente t’u shkojnë deri në fund hetimeve për shkakun e rënies së zjarrit dhe vënien përpara drejtësisë të përgjegjësve të kësaj katastrofe. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo banori të Kurbinit për kujdes të shtuar dhe përgjegjshmëri për të mos krijuar situata të tilla që sjellin dëme të pariparueshme dhe rrezik për jetën e njerëzve të tjerë”.

Flakët nga vatrat e zjarrit u përhapën në lagjen “Demokracia” dhe në fshatin Shpërdhet në Mamurras. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi reagoi duke thënë se situata ishte kritike, para se të shuhej zjarri, ndërsa aktialisht ka vatra zjarri në qarkun e Vlorës, në kodrat e Radhimës, në Malin e Kuçit dhe në Karaburun.

*Tiranapost.al.