Aktualitet

Veton Surroit iu hoq titulli ‘Nderi i Kukësit’. Reagon kryeministri: Vendimi është një lajthitje kolektive, uroj që Prefekti ta refuzojë

Veton Surroit iu hoq titulli ‘Nderi i Kukësit’. Reagon

Këshilli i Qarkut të Kukësit i ka hequr titullin "Nderi i Qarkut Kukës" publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi.

Publicistit dhe politikanit kosovar, Veton Surroi, iu hoq sot titulli “Nderi i Qarkut Kukës”, të cilit i ishte dhënë nga Këshilli i këtij qarku në vitin 2015. Sipas kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, shkak është fushata mediatike dhe politike që Veton Surroi ka bërë kundër UÇK-së.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë vendim një absurd.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit "Qytetar Nderi" Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve. Ky vend s'mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s'ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s'ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!”, shkruan Rama në Twitter.

Veton Surroit iu hoq titulli ‘Nderi i Kukësit’. Reagon

Sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë pas kërkesës që iu drejtua Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit, emrat e të cilëve nuk bëhen publik. Ndërkohë që vendimi vjen pasi Surroi doli në mbrojtje të kreut të PD-së, Lulzim Basha për akuzat që i janë bërë në lidhje me hetimin e tij ndaj ushtarëve të UÇK-së dhe pasi ka kritikuar Ramën në lidhje me debatin.

Politikani kosovar kishte marrë titullin “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.