Aktualitet

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve/ Mësimi në universitete vetëm online. Blloku mund të mbyllet pas orës 22:00

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve/ Mësimi në universitete

Veç mbajtjes së maskës, Komiteti teknik i Ekspertëve ka marrë dy vendime të reja, që lidhet me Universitetet dhe lokalet tek ish-Blloku. Kryetarja e këtij Komiteti, Mira Rakacolli, tha se mësimi në universitete për një muaj do të zhvillohet vetëm online, ndërsa paralajmëroi mbylljen e lokaleve tek ish-Blloku pas orës 22:00.

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve/ Mësimi në universitete

“Universitetet do të zhvillojnë vetëm mësim online, mësim në distancë, pa prezencë fizike për të paktën një muaj. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë. Njëkohesisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Ajo u shpreh se ky vendim është marrë pas vlerësimit të situatës së rritjes së të infektuarve me Covid, si dhe të situatës në rajon dhe në Europë.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.