Aktualitet

Veliaj: Sulmet dhe akuzat ndaj partnerëve 20 vjeçarë të Shqipërisë si AADF-ja, të turpshme

Veliaj: Sulmet dhe akuzat ndaj partnerëve 20 vjeçarë të

Fondi “Crimson Finance Albania” (CFFA), që prej disa vitesh është kthyer në një partner për bizneset e vogla në Tiranë, i është bashkuar edhe një partner i ri, “Helenos”, një shoqëri private investimi me seli në Belgjikë, e cila bëhet aksionerja e pestë e konsorciumit, pas Bashkisë së Tiranës, Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Norfund dhe Crimson Capital.

Në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i AADF-së, Michael Granoff, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ndal te bashkëpunimi i shkëlqyer me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me të cilin Tirana ka përfunduar projektin e suksesshëm për rinovimin e Pazarit të Ri, e aktualisht po punon për kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit për të rinjtë.

“Dua të përdor ardhjen e “Helenos”, për të ilustruar pak një reflektim timin mbi debatet që kemi dëgjuar javët e fundit për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Besimi është shumë i rëndësishëm që një shoqëri të funksionojë. Fatkeqësisht, sot më duhet të kërkoj ndjesë, jo për një faj timin, por si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për atë minorancë të zhurmshme e cila në javët e fundit është investuar ta minojë këtë besim. Shumë prej tyre - jo se nuk dinë apo kanë harruar, por se nuk duan ta kujtojnë që - po të mos ishte për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, nuk do të kishin sot një pasaportë shqiptare. Shumë prej këtyre njerëzve, kartën e parë të kreditit e morën nga Banka Shqiptaro-Amerikane, se dikur çdo gjë bëhej me “cash”. Shumë prej tyre, për herë të parë udhëtuan jashtë vendit nga aeroporti që financohej nga Fondacioni. Sot, shumë prej atyre që mësojnë si të kodojnë, e bëjnë këtë te “Tumo”, që bashkëfinancohet nga Fondi. Treqind biznese te Pazari i Ri, sot tregtojnë në kushte shumë më të mira falë Fondit. Ndaj, është e turpshme që, pas 20 viteve a më shumë kontribut, ne diskutojmë sulme të tilla”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se për gjërat që janë me interes kombëtar duhet bërë një pakt kombëtar. “Këto janë marrëzi! Jemi në vitin 2022! Nuk mund t’i bëjmë gjëra të tilla. Ndaj, jo vetëm ndihem i turpëruar sot dhe kërkoj ndjesë për atë minorancë të zhurmshme - të cilën e mirëkuptoj kur politizohet me kryetarin e Bashkisë në debatin për Sheshin, për Liqenin, “kullat” te Sami Frashëri etj., e çudira shqiptare për të cilat ne na është ‘bërë lëkura shollë’, - por, kjo nuk është normale! Ne duhet të bëjmë një pakt kombëtar që, për gjëra që kanë një interes kombëtar, për ata që bëjnë investime filantropike si Fondi, duhet të kërkojmë kush është AADF-ja tjetër, që të bëhen 2 e 3, 13, 33, jo të përzëmë ata që kemi. Kjo nuk na nderon! Pavarësisht bindjeve që kemi, na duhet një pakt kombëtar. Ne nuk i themi dot suksesit plaç. Ne nuk bëjmë dot teori konspiracioni për çdo të lajthitur që fantazon. Duhet besim”, tha Veliaj.

Drejtuesi i AADF-së, Michael Granoff mirëpriti “Helenos” si partnerin e ri në nismën “Crimson Finance Fund Albania” dhe theksoi se besimi është gjëja e duhur që përshpejton zhvillimin ekonomik të një vendi. “Sot bëjmë bashkë disa bashkëpunëtorë në këtë projekt - kryetari i Bashkisë ka qenë i tillë që në fillimet e këtij projekti - por çelësi për ta rritur këtë program, në mënyrë që të plotësojë nevojat ekonomike që ka Shqipëria, është rritja e konsorciumit me anëtarë të rinj. AADF-ja ka kontribuar 1.2 mln dollarë për këtë projekt, për ta lançuar atë, dhe një nga gjërat e rëndësishme që ne si fondacion mund të bëjmë është të jemi investorë thelbësorë, që ndihmon në fillimin e projektit sepse është e vështirë të kontribuosh kur ende nuk ke arritur asgjë, por është me e thjeshtë të bëhesh pjësëtar i projektit tani që ka sukses. Pra, ne marrim përsipër pak më tepër rrezik, për t’i nisur gjërat, të sjellim modele të sukseshme, dhe tani jemi në pozicionin kur mund të shtojmë anëtarë të rinj të konsorciumit, për të rritur kapacitetet dhe për të siguruar më shumë mbështetje për bizneset në rritje në Shqipëri, si dhe për të inkubuar më shumë biznese start-up”, tha ai.

Që nga themelimi i saj në vitin 2015, nga katër partnerë - Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Bashkia e Tiranës, Norfund dhe Crimson Capital - misioni i “Crimson Finance Fund Albania” ka qenë të shërbejë si një urë lidhëse për biznesin e vogël, që të aksesojnë financat e nevojshme për t’u rritur dhe krijuar vende pune.