Aktualitet

Trashёgimia si konstrukt socio-kulturor

Trash?gimia si konstrukt socio-kulturor

Trashëgimia përkufizohet, përcaktohet në shumë mënyra; por në fjalorin e Oxfordit, kuptimi i parë i fjalës lidhet me pronën, që kalon ose do të kalojë në zotërim nga një pronar tek një tjetër.

Kuptimet e tjera janë të lidhura ngushtë me cilësinë kulturore të pronës, si më poshtë:

-Objekte me vlerë si ndërtesa historike dhe tradita kulturore që kalojnë nga një brez më i hershëm tek tjetri më i ri;

-Objekte të rëndësisë të veçantë kombëtare që mbrohen për shkak të vlerës arkitekturore, historike dhe natyrore që kanë;

-Produkte ose marka të shënuara që simbolizojnë mjeshtëri të përsosur;

Kuptimi modern për trashëgiminë fillon që nga shekujt XVIII-XIX, duke konsideruar trashëgimi kulturore strukturat, veprat e artit dhe objekte të famshme, më parë në Gjermani, Britani e Madhe dhe Francë. Ky kuptim është i lidhur ngushtë me zhvillimin e kombeve dhe shteteve kombe, prandaj trashëgimia luajti një rol shumë të rëndësishëm në konsolidimin dhe harmonizimin e identiteve të shteteve dhe nacionaliteteve/kombeve; mund të nënvizojmë se trashëgimia kulturore e përbashkët përbënte një nga themelet e zhvillimit te kombeve-shtete.

Trashëgimia si konstrukt social dhe kulturor

Në gjysmën e dytë të viteve 1990-të u vu më në pah roli i trashëgimisë në proceset funksionale të shoqërisë. Trashëgimia nuk është thjesht objekt i tjetërsuar, i veçuar nga mjedisi, por ajo shënon një konstruksion socio-kulturor.

Trashëgimia shënon një proces aktiv, përmes të cilit njerëzit perceptojnë dhe kuptojnë, por edhe modelojnë botën rreth tyre. është mjaft e rëndësishme sesi përkufizohet trashëgimia dhe sesi menaxhohet ajo, si dhe çfarë funksionesh përmbush ajo në shoqëri. Duket se është e qartë që trashëgimia nuk është uniforme, përderisa grupet sociale kanë pikëpamje të ndryshme për trashëgiminë dhe trashëgimia shihet në mënyrë të dalluar në nivele të ndryshme të shoqërisë. Kjo pikëpamje që ne po përpiqemi të parashtrojmë, në kuadër të projektit “Phygital”, ka në thelb lëvizjen nga njëri objekt në tjetrin, nga objektet në mjedis dhe akoma më tej, në shoqëri si e tërë.

Praktika sociale, rituale dhe ngjarje festive si konstrukte socialkulturore

Praktikat sociale, ritualet dhe ngjarjet festive janë veprimtari të zakonshme që strukturojnë jetën e komuniteteve dhe grupeve dhe praktikohen dhe janë të pranuara për shumicën e anëtarëve të tyre. Ato janë plot kuptim për arsye se riafirmojnë identitetin e atyre që i praktikojnë si grup ose si shoqëri dhe në çfarëdo mjedisi publik a privat të praktikohen, janë të lidhura me ngjarje të rëndësishme. Praktikat sociale, rituale dhe ngjarjet festive ndihmojnë për të kremtuar kalimin apo hyrjen e stinëve, ngjarje në kalendarin bujqësor, apo etapa të jetës njerëzore. Këto praktika janë të lidhura ngushtë me botëkuptimin e komunitetit dhe perceptimin e kujtesës historike të tij. Disa ngjarje festive, përpos të tjerave, janë pjesë e jetës publike dhe të hapura për të gjithë anëtarët e grupit apo komunitetit, për shembull, karnavalet dhe ngjarjet që shënojnë ardhjen e Vitit të Ri, fillimin e pranverës, fundin e stinës së korrjeve dhe mbledhjes se bereqetit, ngjarje dhe festa ku mund të përfshihen të gjithë.

Praktikat sociale, ritualet dhe ngjarjet festive përfshijnë lloje të ndryshme magjepsëse për nga bukuria si rite adhurimi, rite të ciklit të jetës: rituale të lindjes, martesës dhe ndërrimit të jetës, betimi i besnikërisë, sisteme tradicionale ligjore, lojëra sportive dhe tradicionale, ceremoni fisnore apo rituale fisnore, modele të ndërtimit të banesave, tradita të kuzhinës dhe gatimit, ceremoni stinore, praktika specifike vetëm për burra dhe vetëm për gra, gjueti, peshkim, mbledhje frutash dhe ushqimesh në natyrë, etj. Elementë këto, që mund të shfaqen mes përdorimit të teknologjive të reja, si objekte, ornamente, që memorizojnë socio-kulturoren, në një objekt 2d, 3d, në gjithëfarë lloj materialesh.

Këto praktika janë ndikuar fuqimisht nga proceset migratore, individualizimi i mënyrës së jetesës, ndikimi i edukimit formal, rritja e ndikimit global të feve kryesore botërore, ndikimi i globalizimit. Migrimi, sidomos i të rinjve, ka veçuar e larguar nga komuniteti këta të rinj dhe pakësuar mundësinë për të paktikuar këto rituale. Në të njëjtën kohë, këto rituale mund të shërbejnë si arsye të rëndësishme që këta të kthehen në shtëpitë e tyre për të festuar me komunitetin dhe familjen, e në këtë mënyrë të riafirmojnë identitetin dhe lidhjen me traditat e komunitetit, të cilit i kanë përkitur. Këto rituale janë shpesh mjaft interesante për turistët, të cilët marrin pjesë me entuaziazëm dhe përfshihen intensivisht në to.

Atje ku projekti “Phygital” inovaton, është që këto ngjarje, apo skena të traditës mbartur nga komuniteti, mund të na vijnë si suvenire, mes dixhitales, tredimensionales.

Irena Nikaj, PhD

Profesor i asociuar i Shkencave Sociale

Universiteti “Fan s. Noli” Korçë

*Tiranapost.al