Aktualitet

Trafikonin Sirianë në bagazhin e makinës! SHÇBA arreston tre shtetas në Korçë

Trafikonin Sirianë në bagazhin e makinës! SHÇBA arreston

Tre shtetas shqiptarë me inicialet A.L. (49 vjeç), E.Ç. (53 vjeç) dhe S.Q. (46 vjeç) janë arrestuar në fshatin Zëmblak të Korçës pasi u kapën duke transportuar tetë shtetas sirianë, të cilëve u kishin marrë 350 euro secilit për t’i transportuan në bagazhet e makinave të tyre private.

SHÇBA ka nisur hetime të thelluara mbi grupin për të zbuluar sa i gjërë është rrjeti i trafikantëve.

Emigrantët e jashtëligjshëm sirianë dhe nga shtetet e tjera të rajonit hyjnë fillimisht në Greqi dhe më pas tentojnë të udhëtojnë drejt Europës Perëndimore nëpërmjet vendit tonë ose duke kaluar detin për në Itali, çka ka risjellë fenomenin e trafikut në vendin tonë, veçanërisht në zonat jugore kufitare.

Për këtë arsye autoritetet kanë vënë në dispozicion numrin e telefonit falas 0800 90 90 ku mund të raportohet çdo shkelje e ligjit e kësaj natyre.

Njoftimi i plotë i SHÇBA:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Elbasan-Korçë arrestoi 3 shtetas të akuzuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”

Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Elbasan-Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë si dhe në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në kuadër të procedimit penal për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, finalizoi me sukses operacionin “Lugina”, ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve:

– A. L., 49 vjeç;

– E. Ç., 53 vjeçe;

– S. Q., 46 vjeçe.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pas një hetimi disa mujor me metoda speciale. Dje rreth orës 12:20 në aksin rrugor Bilisht – Korçë, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, këta shetas janë kapur duke transportuar 8 shtetas sirianë pranë fshatit Zëmblak, kundrejt shumës prej 350 euro për person.

Në momentin e arrestimit këta shtetas kanë tentuar të largohen me forcë duke mos ju bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar. Transportin e kryenin me automjetet autoveturë, Audi me targë AB 589 CM, Renault me targë AB 312 CF dhe Mercedes Benz me targë AA 666 CR. Me qëllim për tju shmangur kontrolleve të policisë, shtetasit e huaj nga Lindja e Mesme i kishin fshehur në bagazhet e autoveturave.

Në cilësinë e provave materiale u sekustruan 5 aparate celulari, 3 automjete, 1 tabelë sinjalizuese,1 palë targa franceze dhe sende të tjera.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Ndihma për Kalim të paligjshëm te kufijve”, “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë”, “Mbajtje pa të drejtë e uniformës”.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal po vazhdojnë.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.

Tiranapost.al