Aktualitet

Top Channel qëndrim fisnik! Unë dhe qeveria që drejtoj nuk kanë ndërhyrë në asnjë milimetër të lirisë së mediave

Top Channel qëndrim fisnik! Unë dhe qeveria që drejtoj nuk

Kryeministri Rama ka folur sot për Grida Dumën në Top Story. Nga pyetja nëse e quan akt terrorist dhe tek përgjegjëssia e gjuhës së politikës agresive, deri tek pyetja nëse Kryeministri mendon se të punosh sot në TCH është e pasigurt. Cili do ishte mesazhi i Edi Ramës për ata që punojnë në këtë televizion.

Për të gjitha këto Edi Rama u përgjigj:

Grida Duma: E konsideroni një akt terrorist ndaj një media, apo me informacionet tuaja e quani një ngjarje banale?

Edi Rama: Motivet e drejtëpërdrejta të këtij agresioni kriminal ende nuk i dimë, por fakti që një breshëri plumbash derdhen mbi një institucion kombëtar siç është Top Channel e bën këtë agresion domosdoshmërisht të lidhur me një media e jo vetëm një media, por me një institucion kombëtar të lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes në tërësi. Pavarësisht se nuk i dimë motivet ekzakte edhe pse mund të them që Policia i është afruar autorëve, por ende nuk ka rezultat konkret qoftë në aspektin e kapjes së tyre qoftë në aspketin e motiveve të tyre nuk ka se si një agresion i tilë të metet pa u përcaktuar qartë si një agresion ndaj një institucioni kombëtar të pushtetit të katërt.

Grida Duma: Në 32 vite ju e keni parë Shqipërinë nga pozitat e intelektualit, politikanit, aktivistit dhe qartësia juaj për të parë atmosferën e Shqipërisë nuk vjen vetëm nga pozita e Kryeministrit. A mund të ketë një koment tuajin si është e mundur që banda kriminale të godasin me breshëri 25 plumba dhe të largohen të lënë veç sinjale duke djegur makinën, njësoj si çdo akt kriminal banal tjetër i bëhet edhe një media kombëtare.

Edi Rama: Së pari, mund t’ju them që liria e medias në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në situatën që është sot në aspektin pozitiv, kurrë më parë media nuk ka pasur lirinë të thotë çfarë të dojë e të shprehë çdo këndvështrim, madje në një aspekt të abuzojë me lirinë e saj në tërësi. Këtu kam parasysh të gjithë mekanizmin në Shqipëri që sot është në një fushë tërësisht të lirë në çdo pikëpamje. Nëse do të shikojmë shifrat, se në fund të ditës realiteti përcaktohet me perceptim, rendi nuk ka qenë asnjëherë më mirë sesa sot në aspektin e akteve me pasojë vrasjen, apo plagosjen, apo pasoja të rënda të kësaj natyre, grabitje personi. Ka shumë vend për të përmirësuar, as në pozitat e kryeministrit apo personit që po gjykoj nuk mund të mohoj se këto lloj ngjarjesh kanë një mënyrë dhe një shfaqje të agresivitetit që i bën shumë të bujshme e shume shqetësuese.

Grida Duma: A duhet të mbajë një lloj përgjegjësie klasa politike, qoftë edhe ju kur në momente të caktuara i jeni drejtuar mediave me gjuhë agresive duke i thënë, - pavarësisht mëkateve të mediave të cilat mund të zgjidhen me ligj, kanë mundësi ta zhbëjnë ose ta bëjnë fjalën, por kjo duhet rregulluar në mënyrë sistemore me ligj, - a meriton t'i drejtohet klasa politike, Kryeministri i vendit mediave duke i thënë kazan, një verb agresiv shpesh, që mund të japë dhe sinjale për njerëz të tillë të papërgjegjshëm që e vë median në pozita të dobëta në të cilat politika mund ta godasë dhe ta lërë në situata krejtësisht të inkriminueshme, sot është në situatë të inkriminueshme.

Edi Rama: E para punës unë nuk jam klasa politike dhe nuk flas në emër të klasës, as nuk marr përsipër mëkatet e klasës, nëse duam t’i analizojmë, sepse flasim për pjesën time dhe për çfarë më takon mua të përgjigjem. Fjalën kazan për herë të fundit e kam përdorur kur ende nuk kisha fituar 2 zgjedhje të tjera më pas, pra ka qenë një adresim të cilit unë edhe sot nuk i heq asnjë presje nga i cili kam hequr dorë për arsye që nuk ka nevojë t’i shpjegoj këtu, por jo sepse mendoj se kam thënë gjëra të tepruara, apo të gabuara, por duke qenë se janë perceptuar si të tilla kam hequr dorë dhe i jam dorëzuar faktit që media në Shqipëri është një xhungël, siç ka pjesë të bukura dhe të admirueshme ka edhe pjesë që janë të neveritshme dhe nuk besoj gjithsesi që kjo goditje është një goditje që vjen si rezultat i një frustrimi popullor, apo frustrimi qoftë edhe nga ana e klasës politike.

Dua të përgëzoj Top Channel për faktin që ka qenë jashtëzakonisht i vetëpërmbajtur në atë që mund të jetë natyrshëm prirja në këto momente për të treguar gishtin dhe natyrisht Top Channel sidomos për shkak të një sërë aktesh shumë kurajoze, por dhe të dokumentuara të kohëve të fundit mund të drejtonte gishtin fare lehtë e të thonte e kemi për këtë arsye.

Grida Duma: A është Top Channel në një situatë të sigurt?

Edi Rama: Kjo nuk është një ngjarje e radhës, është një nga ato ngjarje që ndodhin si rrufe në qiell të pastër dhe nuk përbën vazhdimësi, kjo është diçka e lidhur drejtpërdrejtë me Top Channel, qeveria ka qenë një ndër shënjestrat e Top Channel dhe jam sot këtu e ajo çfarë mund të them është se nuk ka mundësi e shans të dalë dikush nga Top Channel qofshin pronarë apo gazetarë të thotë që në një sekondë të ketë ndjerë që qeveria t’i ketë ushtruar presion apo polemikën ta ketë parë në një polemikë të përkthyer në veprim. Që serioziteti i kësaj çështje është kaq i madh është dhe ju siguroj që e kuptoj dhe ndjej shumë thellë këtë goditje dhe do bëjmë çmos të gjejmë autorët, i them individëve që janë pjesë e këtij institucioni të vazhdojnë kryelartë misionin e tyre. Dua të më jepni mundësinë t’i përcjell ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit punonjësit të sigurisë, është një arsye më shumë që të bëjmë çmos për të zbuluar motivet e ngjarjes. Unë dhe qeveria që unë drejtoj nuk kanë ndërhyrë kurrë në asnjë milimetër të lirisë së medias.