Aktualitet

Tenderi me Uniformat: Nesër masat për të arrestuarit. Të tjerë zyrtarë nga ministria e Brendshme do hetohen

Tenderi me Uniformat: Nesër masat për të arrestuarit. Të

Çështja me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit po shtrihet më gjerë në hetime për të parë nëse janë përfshirë zyrtarë e ish zyrtarë të tjerë përveç atyre që janë arrestuar një ditë më parë.

Burime nga News 24 tregojnë se dëshmia më e fortë kundër të arrestuarve është ajo e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Mësohet se ai ka dalë kundër dhe nuk ka pranuar të firmosë tenderin me vlerë rreth 28 milionë dollarë, për të cilin nisën procedurat në vitin 2019.

Tenderi është anuluar dhe rihapur si garë dhe sipas kreut të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave janë kryer tre shkelje:

Shkelja e pare e kryer nga zyrtarët e ministrisë së Brendshme është procedura e tenderit. Së dyti ata kanë bashkuar tre objekte në një, çka do të thotë se një kompani mund të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën 3 zëra. Së treti, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë në zërat e tenderit në menyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin.

Tenderi u përmbyll në korrik të vitit të shkuar duke shpallur fitues një konsorcium të udhëhequr nga kompania D&E, me administrator Ismail Kadiun.

Ditën e nesërme pritet të dalin para gjykatës për masat e sigurisë 9 të arrestuarit. Ndaj tyre rëndon akuza e “Shkelje të barazisë në tendera”.

Sipas Prokurorisë se Posaçme, SPAK, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e kompanisë fituese.

Ndërkaq, pritet që SPAK të publikojë deklaratën e plotë lidhur me hetimet në këtë ministri.

Për më shumë kliko në linkun si më poshtë:

*Tiranapost.al.