Aktualitet

Temperaturat e ftohta/ UKT këshillon të mbulohen apo izolohen tubacionet

Temperaturat e ftohta/ UKT këshillon të mbulohen apo izolohen

Për shkak të temperaturave të ftohta që kanë përfshirë vendin dhe uljes së tyre në ditët në vazhdim Ujësjellës Kanalizime Tiranë këshillon qytetarët të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e sistemit të brendshëm të rrjetit ujësjellës dhe matësat e ujit, që të mos dëmtohen.

Këshillohet që tubacionet e furnizimit që janë në ambiente të jashtme të mbulohen apo izolohen.

Njoftimi i plotë:

“Njoftim i rëndësishëm!

Si pasojë e temperaturave të ulta në ditët në vijim, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, njofton të gjithë qytetarët e Tiranës për marrjen e disa masave parandaluese për mbrojtjen e sistemit të brendshëm të rrjetit ujësjellës, përfshirë dhe matësat e ujit, në mënyrë mos dëmtimin e tyre si pasojë e kushteve atmosferike.

Lutemi të tregoni kujdes për tubacionet / instalimet brenda pronës tuaj, përfshirë këtu edhe ujëmatësit.

Rikujtojmë të gjithë qytetarët se janë ata përgjegjës për mbrojtjen e tubave të ujit dhe të ujëmatësve (të brendshëm ose të jashtëm, në afërsi të banimit), nga ajri i ftohtë.

Sygjerojmë që në katet përdhese, ku tubacionet e furnizimit me ujë, janë më shumë të ekspozuara me ambientin jashtë dhe mundësitë e rrjedhjes janë potenciale, ju lutemi të merrni masa duke i mbuluar apo izoluar për të arritur një mbrojtje optimale.

Për çdo problematikë lutemi të sinjalizoni në numrin tonë të gjelbër 08004488, gjithashtu edhe në Pikat UKT më të afërta në zonën tuaj të banimit.

Inxhinierët tanë dhe specialistët e terrenit janë në gatishmëri të plotë në shërbimin tuaj!

Së bashku kalojmë çdo vështirësi!”