Aktualitet

Suedia ndalon nga nesër udhëtimet nga Shqipëria dhe 5 vende të tjera: Vetëm një rast përjashtohet

Suedia ndalon nga nesër udhëtimet nga Shqipëria dhe 5 vende

Qeveria suedeze ka vendosur që të ndalojë hyrjen në vend të të gjithë personave që udhëtojnë nga vendet si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Brunei, Japonia dhe Serbia. Vendimi vjen pasi Bashkimi Europian i hoqi nga lista e vendeve të sigurta epidemiologjikisht, duke i zhvendosur në listën e kuqe të rrezikut ndaj Covid.

Vendimi për ndalimin e hyrjes së personave nga gjashtë vendet është shpallur nga Ministria e Drejtësisë Suedeze dhe do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme, 20 shtator. Në lajmin e publikuar nga SchengenVisaInfo citohet deklarata nga ministria e Drejtësisë ku thuhet:

“Qeveria ka miratuar ndryshimet në ndalimin e përkohshëm të hyrjes në Suedi. Vendimi do të thotë që ndalimi do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë për gjashtë vendet, në përputhje me rekomandimet e përditësuara nga Këshilli Europian për udhëtimet në Shtetet Anëtare të BE-së”.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht dhe rasti përjashtues:

Kjo do të thotë se duke nisur nga dita e nesërme, do të lejohen mbërritjet në Suedi përmes këtyre vendeve, vetëm për qëllime emergjente apo esenciale. Udhëtimi për qëllime thelbësore lejohet vetëm për ata që kanë leje qëndrimi suedeze, ata që kalojnë tranzit nëpër territorin e Suedisë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe stafi mjekësor i përkujdesjes për të moshuarit.

Ndalimi prek edhe udhëtarët e vaksinuar nga këto 6 vende, ndonëse njoftohet se do të ketë një deklaratë zyrtare të detajuar në ditët në vijim.

Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), Suedia ka arritur të vaksinojë plotësisht 76.3 % të popullsisë prej 10.23 milionë banorësh deri më tani.

*Artikulli i Schengenvisainfo përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.