Aktualitet

Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit: Të futemi në auditore pa vaksinë dhe pa tampon

Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit: Të

Disa studentë në Tiranë janë mbledhur paraditen e sotme përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë që të lejohen të hyjnë në auditore, pa certifikatë vaksinimi dhe pa tampon negativ.

Pretendimi i ngritur është se tamponi kushton, kurse vaksinën nuk duan ta bëjnë. Sipas tyre, studentët nuk duhet të ndahen në të vaksinuar dhe të pa vaksinuar. Ajo që kërkojnë është që t`u lihet atyre në dorë nëse duan të vaksinohen ndaj Covid dhe të mos jetë kusht për frekuentimin fizik të lëndëve.

Në Fakultetin Filologjik studentët janë përplasur me policinë tek dera që u kërkonte certifikatën ose tamponin për të hyrë në mjediset e shkollës.

Kurse në rrethe situata paraqitej kështu:

Në Durrës ka rreth 20 mijë student, nga të cilët mbi 50% janë vaksinuar. Janë lejuar të futen në auditore vetëm studentët e vaksinuar.

Në Korçë, nga 3500 studentë janë vaksinuar një pjesë e vogël. 37 studentë u paraqitën për të marrë dozën e para, gjatë javës që ishte në dispozicion të vaksinimit 11-17 tetor. Sot janë paraqitur në dyert e universitetit pa tampon, në vazhdim do presin se si do procedohet.

Në Gjirokastër janë lejuar të gjithë studentët të hyjnë në auditore. Sot do të vendoset se si do procedohet në vijim.

Në Elbasan janë lejuar gjithashtu të hyjnë në ambientet e shkollës të gjithë studentët, në ditën e parë.

Në Shkodër vetëm 30 % e studentëve kanë bërë të paktën një vaksinë. Sot nuk do të lejohen të hyjnë pa test, ose vaksinë. Në vazhdim do vendoset sesi do të veprohet.

Në Vlorë nuk janë lejuar të futen në mjediset e universitetit asnjë student i pavaksinuar, ose pa tampon negativ.