Aktualitet

Stadiumi “Air Albania” do të jetë gati për të pritur kombëtaren e Anglisë muajin e ardhshëm

Stadiumi “Air Albania” do të jetë gati për të

Në një deklalaratë të publikuar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, administratori i stadiumit kombëtar “Air Albania” Kejdi Tomorri ka lajmëruar se fusha do të jetë gati për të pritur anglezët muajin e ardhshëm për ndeshjen mes kombëtareve që do të zhvillohet në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2022.

Tomorri është shprehur se punimet e muajve të fundit po bëhen me ritme optimale dhe se sistemi me llamba të posaçme do e bëjnë ndriçimin në stadiumin kombëtar të ngjashëm me atë të stadiumeve më të mëdha dhe prestigjoze në botë.

“Sistemi i ndriçimit me llamba të posaçme për fushën kanë mbërritur. Janë prodhim i një prej kompanive holandeze lider të kësaj fushe në botë, që kanë sistemet e tyre në shumë stadiume të Europës, si në Itali, Gjermani, Francë, Holandë, etj. Pra, është i njëjti sistem që përdoret në të gjithë stadiumet më të mira të Europës.

Mendoj që fusha do të jetë në gjendje mjaft të mirë, nuk mund të them në gjendje optimale, sepse koha është shumë e shkurtër në dispozicion para ndeshjes së marsit. Fusha do të kthehet në një gjendje të mirë sidomos në pjesën jugore të stadiumit, ku bie hija dhe llambat shërbejnë pikërisht për të rritur rrënjët e barit, pra për të krijuar një fushë më stabël edhe në atë pjesë.

Ne kemi iniciuar një sërë procesesh që kanë të bëjnë me shkriftimin e fushës, procesi i ‘verti drain’, ajrimi i fushës dhe më pas do të bëhet një mbjellje e fushës për të proceduar me vendosjen e llambave, që do të stimulojnë akoma më tepër rritjen e barit. Ky është një plan imediat për ndeshjen me Anglinë dhe në përfundim të ndeshjes me Anglinë do të vijë një tapet hibrid, që përdoret gjerësisht në stadiumet e mbyllura në Europë dhe më gjerë. Me vendosjen e tapetit të ri pastaj ne pretendojmë që këtu të luhen një numër akoma më i madh ndeshjesh, deri në dy ndeshje në javë pa u dëmtuar fusha”- deklaron Tomorri.

Tiranapost.al