Aktualitet

SPAK çon në gjyq gjyqtaren Margjeka dhe bashkëshortin e saj

SPAK çon në gjyq gjyqtaren Margjeka dhe bashkëshortin e saj

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka paraqitur kërkesën për të dërguar në gjyq, gjyqtaren e komanduar në Korçë Mimoza Margjeka. Gjyqtarja akuzohet për ‘Korrupsion pasiv të gjyqtarëve’.

Të njëjtën kërkesë SPAK ka bërë edhe për bashkëshortin e saj Arben Cara.

Gjyqtarja u akuzuar se mori 6 mijë euro ryshfet për të ndryshuar një masë sigurie. Bashkëshorti i saj thuhet se ka bërë ndërmjetësin duke marrë sasinë e parave. Sipas hetimeve të SPAK, kjo shumë parash është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjyqtarja Margjeka ka folur më herët e irrituar për mediat duke e cilësuar një përrallë të gjithë historinë, e cila sipas saj është sajuar për t’i prishur imazhin. Sipas gjyqtares kjo ka ndodhur për zgjedhjet e 30 qershorit, pasi i refuzoi mandatin Valbona Sakos, ish-kryebashkiakes së Durrësit.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 26.02.2021 ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.186/2020, në ngarkim të pandehurve:

Mimoza Margjeka dhe Arben Cara, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.

*Tiranapost.al.