Aktualitet

Skema e diplomave false! Universiteti Wisdom u licensua nga drejtuesja e Bordit për një çantë Louis Vuitton

Skema e diplomave false! Universiteti Wisdom u licensua nga drejtuesja e Bordit

Ishte operacioni i Guardia di Finanzia në Itali që zbuloi skandalin me diplomat false në Shqipëri. Dy administratorët e Universitetit Wisdom në Tiranë kanë përfunduar tashmë në pranga, të akuzuar për një skemë mashtrimi të diplomave false.

Në krye të skemës së mashrtimit janë Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, administratorë të universitetit.

Në dosjen hetimore të prokurorisë italiane, thuhet se për të marrë akreditimin e universitetit Wisdom, italianët shpërblyen drejtuesen e Bordit të Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (tashmë ish-drejtuese), Shqiponja Telhaj, me një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro.
Hetimi u krye pas qindra denoncimeve të studentëve italianë që kanë paguar nga 6 deri në 20 mije euro për marrjen e një diplome false nga ky universitet.

Në lidhje me këtë skandal ka reaguar edhe Ministria e Arsimit:

Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.

Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.