Aktualitet

Si vepron vaksina e “Moderna” në trupin e njeriut

Si vepron vaksina e “Moderna” në trupin e njeriut

Vala e dytë e pandemisë Covid-19 ka mbërthyer botën, ndërkohë që vaksinat e ditëve të fundit kanë ngjallur optimizmin.

Firma bioteknologjike e SHBA Moderna tha të hënën se të dhënat paraprake të provave klinike treguan se vaksina e saj ishte më shumë se 94% efektive në parandalimin e Covid-19 dhe përbëhet nga dy injeksione me largësi prej katër javësh.

Lajmi erdhi një javë pasi Pfizer dhe BioNTech gjetën një nivel të ngjashëm të efikasitetit në vaksinën e tyre.

Lidhur me këtë vaksinë foli mbrëmjen e sotme Detina Zalli nga Universiteti i Oksfordit. Ajo tha për Euronews Albania se vaksina e “Moderna” është një vaksinë molekulare që përmban instruksione për qelizat.

“Kjo vaksinë përdor një pjesë të virusit të gjallë. Kodi gjenetik i ARN injektohet në qelizat e njeriut dhe në bazë të kodit u jep sinjal proteinave të prodhojnë proteinat spajk. Vaksina mund të jetë shumë e dobishme për sistemin imunitar dhe e përgatit që të prodhojë anti trupa në rast infektimi”, deklaroi ajo.

Ndërkohë Argita Zalli nga Imperial College London tregon se, rezultatet e deritanishme janë shumë shpresëdhënëse

“Vaksina nuk integrohet në kodin gjenetik të qelizave tonë dhe ARN degradohet sapo qelizat të prodhojnë proteinën spajk. Rezultatet e hershme kanë treguar se këto vaksina gjenerojnë një përgjigje shumë të mirë imune dhe ka pak efekte anësore”, tha ajo.