Aktualitet

Si u prit në Kosovë drafti i Ramës për asociacionin e komunave serbe

Si u prit në Kosovë drafti i Ramës për asociacionin e

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë pë shtyp enkas për situatën në veri të Kosovës se u ka dërguar dy ‘kumbarëve’ të dialogut Prishtinë-Beograd Macron dhe Scholz një draft për asociacionin e komunave serbe në veri.

Si u prit në Kosovë drafti i Ramës për asociacionin e

“Jam këtu për të ndarë me ju një fakt të panjohur deri më sot. E kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe. Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft të asociacionit, i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe europian prej kohësh,” u shpreh ndër të tjera Rama.

Kjo deklaratë ka shkaktuar mjaft reagime në Kosovë, ku aktorë të ndryshëm politikë kanë patur interpretime të ndryshme mbi këtë iniciativë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, u shpreh kundër draftit pasi sipas tij kompetente për propozimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vetëm Qeveria e Kosovës dhe askush tjetër.

“Të jemi të qartë e të saktë; kompetent për propozimin e statutit të Asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë, është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë qeveri e ndonjë vendi tjetër”, shkroi ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja po ashtu është shprehur kundër duke deklaruar se ai forcon pozitat e Serbisë:

“Duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiçin. Fort i kapur diku për krim e korrupsion duhet të jetë Edi Rama gjersa detyrohet t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar, shkruan deputeti Muja.

Po ashtu edhe kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dalë kundër duke thënë se sovraniteti i shtetit nuk ka qenë asnjëherë më i rrezikuar.

“Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre, e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik”, tha ai. “Për ne është me rëndësi të thuhet se ashtu siç e ka pasur kryeministri Kurti mbështetjen në shumë tema, e ka edhe tash në mbrojtjen e pikave 1 dhe 31 të doganave”.

Ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili thotë se e ka parë draftin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri, e mbështet atë:

“Unë mbështes qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për krizën në veri të Kosovës. Është thelbësore që Kosova të punojë së bashku me aleatët tanë strategjikë në mënyrë që të adresojmë me përgjegjësi dialogun Kosovë-Serbi dhe qasja më e qëndrueshme është përmes një marrëveshjeje të plotë të njohjes reciproke”, shkroi ai në Twitter.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë se nuk ka parë detaje, por megjithatë e mbështet draftin:

“Detaje s’kam parë, por është një hap politik i Ramës për të parandaluar përplasjen mes Serbisë dhe Kosovës, një lëvizje e fundit për të shpëtuar Kosovën rrugëtimin e saj drejt një muri, i cili për mua është shumë shqetësues”, tha Arifi në një intervistë për ABC.