Aktualitet

Shtyhet sërish gjyqi për grabitjen e 2017-ës në Rinas, gjobiten avokatët

Shtyhet sërish gjyqi për grabitjen e 2017-ës në Rinas,

Seanca gjyqësore lidhur me grabitjen e Rinasit më 9 shkurt të vitit 2017 është shtyrë sërish. Shkak është bërë refuzimi i avokatëve të caktuar kryesisht nga gjykata për të mbrojtur të pandehurit.

Gjykata ka vendosur të ndëshkojë avokatët për refuzimin e çështjes duke i gjobitur me nga 50 dhe 100 mijë lekë. Procesi gjyqësor ka ngecur në konkluzionet përfundimtare, dhe më pas pritet vendimi i Apelit të së Posaçmes. Për çdo seancë gjykata ka vijuar me aplikimin e gjobave për avokatët kryesisht, të cilët refuzojnë mbrojtjen e tyre.

Prej dy vitesh tashmë kjo çështje vijon të shtyhet ndërkohë që Shkalla e Parë e Gjykatës për Krime të Rënda tashmë është “shkrirë” duke u zëvendësuar me GJKKO, ka caktuar 107 vite burg në total për të pandehurit: Dash Kupa 27 vite burg, Ernest Kupa 26 vite burg, Neim Avdylaj 26 vite burg, Fatjon Xhyliu 21 vite burg, Dritan Sinani 20 vite burg dhe Aleksandër Murataj 19 vite burg.

Përveç grabitjes jashtë pistës në aeroportin e Rinasit, ata gjithashtu akuzohen të jenë autorë të dy grabitjeve të tjera të dy bankave në vitin 2015.