Aktualitet

Shqipëria me sistem raketor antitank “Javelin”

Shqipëria me sistem raketor antitank “Javelin”

Sistemi raketor antitank “Javelin”, i cili po prodhohet nga kompania amerikane Lockheed Martin do të jetë pjesë e armatës së forcave tona ushtarake. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i mbrojtjes Niko Peleshi i cili shprehet se Shqipëria nuk ka ndonjë kërcënim konkret por blerja është pjesë e sistemit të sigurisë si vend aleat i NATO.

“Është në kuadrin e modernizimit të FA, rritjes së kapaciteteve tona, plotësimit të objektivave që Shqipëria ka në raport me NATO-n. Sistemi raketor antitank “Javelin” po prodhohet nga kompania amerikane, më e madhja në botë e industrisë ushtarake Lockheed Martin dhe ne kemi bërë porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë për forcimin e FA, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit tonë. Nuk është se ka ndonjë kërcënim konkret qe mos të krijojmë panik, ne jemi një vend në NATO, ne kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi të mbrojtur, sepse na mbron neni 5 i traktatit të NATO-s, sipas të cilit hapësira e NATO-s është e paprekshme, por ne natyrisht do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance defensive”, u shpreh ministri Peleshi.

Ai shtoi se së shpejti do të ketë edhe blerje apo donacione të tjera nga SHBA apo nga partnerë të tjerë në NATO. “Forcimi i NATO-s do të thotë dekurajim i fuqive të tjera shpeshherë jo kaq pozitive dhe rivalëve tanë të vlerave politike, t’i shkurajojë në përpjekjet për t’u kthyer në politika të shekujve të kaluar, ndarjes së hartave apo ligjit që bën më i madhi në krahasim me të voglin,” tha Peleshi.