Shpresë në procesin Gërdeci, Gjykata do pranojë dëshmitë dhe provat e familjarëve të dëmtuar nga tragjedia
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pranuar sot kërkesën e familjarëve të viktimave të Gërdecit që të jenë pjesë e procesit gjyqësor të rihapur për tragjedinë e 15 viteve më parë, ku mbetën të vrarë 26 persona.
Avokati përfaqësues i familjarëve që prej kohësh kanë kërkuar të bëhen pjesë e këtij procesi e quajti këtë një fitore, sidomos për familjen Durda e cila humbi djalin 4-vjeçar në shpërthimin tragjik të fabrikës së municioneve ushtarake.
“Historia e pjesëmarrjes së viktimave në proceset penale është një luftë e gjatë. Ka qenë e vështirë të ndryshohej kodi, më pas mentaliteti që të arrinim në këtë moment. Është një fitore për familjen Durda, se e ka filluar këtë proces që në vitin 2009. Nëse do të kemi një gjykim të zakonshëm do të thotë t’i marrim të gjithë provat me radhë dhe çdo gjë mund të ndodhë,” tha Dorian Matlija.
Në këtë mënyrë 290 personat e dëmtuar nga tragjedia e 15 Marsit 2008 do të marrin pjesë në seancën e rradhës së 22 qershorit.
Kjo u jep shpresë familjarëve të viktimave në fshatin tragjik të Gërdecit, të cilët deklarojnë se drejtësia deri më tani nuk ka vepruar ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë të cilët dhanë leje për ngritjen e fabrikës ku demontoheshin fishekë, të cilët më pas eksportoheshin jashtë vendit.
Një prej ish-zyrtarëve më të lartë shtetërorë që po hetohet tashmë me rihapjen e procesit është Fatmir Mediu i cili në kohën e tragjedisë që u klasifikua atë kohë nga Drejtësia si “incident teknologjik” ishte ministër i Mbrojtjes.