Aktualitet

Shkarkimi i gjyqtares së Krujës, KLGJ vendos të shtyjë seancën. Kreu i ILD-së: Nuk isha dakord

Shkarkimi i gjyqtares së Krujës, KLGJ vendos të shtyjë

Me datë 25 shkurt do të shqyrtohet kërkesa e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha. Vendimi u mor sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Mësohet se ILD ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares konkretisht për rastin e lirimit me kusht nga burgu të Hekuran Billës, i cili një vit më parë u ekzekutua në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Pas diskutimeve në mbledhjen e sotme, KLGJ mori vendimin që avokati i gjyqtares i cili është vendosur prapa hekurave, të depozitojë me shkrim deri me datën 23 shkurt mbrojtjen për klienten e tij.

Kreu i ILD-së Artur Metani tha se nuk është dakord me vendimin për shtyrjen e seancës, pasi sipas tij gjyqtarja e Krujës dhe avokati isaj kanë pasur mjaftueshëm kohë për të tu njohur me dosjen.

“Avokati kërkoi shtyrjen e seancës, dhe unë nuk isha dakord. Sepse mendoj se magjistratja edhe avokati kanë pasur kohën e mjaftueshme që të njiheshin me argumentet dhe provat që shoqërojnë argumentet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Megjithatë KLGJ mori vendim për ta shtyrë séance, respektoj këtë vendim”.

Gjyqtarja Enkeleda Hoxha e pezullua nga detyra nga KLGJ pasi u arrestua me urdhër të SPAK. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pasi pretendohet se ka liruar nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale, dhe në këmbim ka patur përfitime.

Përveç gjyqtares, janë arrestuar edhe 9 zyrtarë të tjerë, mes tyre sekretarja e gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi.

*Tiranapost.al.