Aktualitet

Sandër Lleshaj reagon për Tenderin e Uniformave të Policëve: Kam kërkuar hetim që vjet, ta lëmë SPAK-un të qetë

Sandër Lleshaj ishte ministër i Brendshëm në kohën kur u nënshkrua tenderi për të blerë uniformat e policisë së shtetit me një vlerë prej 2.8 mliardë lekësh. Në lidhje më këtë tender SPAK ka arrestuar 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të kësaj ministrie, pasi akuzohen se kanë shkelur ligjin në barazi dhe pjesëmarrje në tendera. Në një intervistë për ABC News, ish ministri Lleshaj thotë se për këtë çështje ka kërkuar hetim që në shtator të vitit të kaluar. Ai shton se duhen refuzuar tentativat për të bërë politikë me këtë çështje dhe SPAK të lihet i qetë në punën e tij: Ministri i Brendshëm në këtë sistem prokurorimi nuk ka asnjë rol, thotë ai.

Sandër Lleshaj reagon për Tenderin e Uniformave të Policëve:

“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar”.

Partia Demokratike në denoncimin dhe reagimin pas aksionit të SPAK ka kërkuar arrestimin edhe të ish ministrit, duke e cilësuar si të përfshirë në këtë aferë. Por Lleshaj thotë se ministri nuk ka as autoritetin ligjor në këto çështje.

‘’Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”.

Hetimet nga SPAK janë kryer prej 10 muajsh, dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme akuzohen se kanë favorizuar kompaninë D&E shpk, që fitoi tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit për një periudhë 4 vjeçare, ndërsa agjencia e blerjeve të përqendruara në ministrinë e Brendshme shtyu afatin e zhvillimit të tenderit.

*Tiranapost.al.