Aktualitet

Sabotatorë? S'po na përdorin politikisht, kërkojmë të drejtat tona

Sabotatorë? S'po na përdorin politikisht, kërkojmë

Pas bllokimit të Rinasit dhe reagimeve nga politika, avokati Rezart Kthupi, përfaqësuesi i kontrollorëve të Rinasit ka folur për mediat, duke hedhur poshtë se ata po përdoren nga politika apo rreth komenteve që kanë marrë si sabotatorë të sigurisë së vendit. Ai tha se kontrollorët e AlbControl kërkojnë të drejtat e tyre dhe se nuk mund të kallëzohen penalisht, pasi ligji e lejon që ata të ndërpresin punën kur deklarohen se po përballen me situata të ngarkuara psikologjike.

Intervista:

-Kryeministri Rama ka thënë se do ndiqeni penalisht?

Nuk është braktisje, braktisja e vendit të punës është mos-shkuarja në punë, respektimi i kodit ligjor e sqaron që një kontrollor në pamundësi psikologjike për të ushtruar detyrën njofton eprorin dhe deklarohet i paaftë për punë. Është detyrim ligjor, ligji 89 i 2020-ës që ti ja njeh kontrollorit. Përndryshe do të sillte pasojë gjobitjen.

-Ministria ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj kërkesave dhe ka fajësuar disa politikanë, si do vijoni më pas?

Nuk është çështje politike. Interpretimet që po bëhen politikisht janë politike, nuk ka asnjë lloj ngarkese për ne, nuk ka interes të përfshihemi në politikën e ditës. Ne kemi bërë disa kërkesa që nuk janë të komplikuara.

-A rrezikoni ndjekje penale? Do përballeni?

Nuk ka hapësirë ligjore për të na çuar në ndjekje penale, nuk detyron një person të shkelë ligjin për të rrezikuar trefikun ajror, kur kontrollori nuk është i aftë për punë.

-Si jeni ndjerë të komentuar si sabotatorë të sigurisë së shtetit?

Thjesht shtohet stresi, njerëzit që janë pas meje ndjehen edhe më të stresuar. Ne kërkojmë respektimin e kontratës së punës, me parametrat dhe pagën që ka ajo. Largimi ose ndryshimi i orareve të punës sjell paaftësi ose vështirësi të kontrollorëve në ushtrimin e detyrës.

-Kur thoni detyrat operative kanë ndryshuar, çfarë nënkuptoni? Puna juaj ra, a kanë punuar më pak orë, në kushte më të qeta?

Po, e vërtetë. Ndryshimi i orareve të punës sjell shkëputjen e kontrollorit nga profesioni, kontrollori ka nevojë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me punën, ndërprerja sjell vështirësi në ushtrimin e detyrës.

-Ku ndahen qëndrimet me ministren?

Pika e parë që u diskutua është që të larguarit nga puna të rikthehen. Pavarësisht se u tha se është procedurë negocimi, këta njerëz nuk rezultojnë të jenë në turnet e punës.

Çfarë do të ndodhë nesër pas orës 10:00?

Ne jemi ende në pritje të zgjidhjes së situatës. Pika e parë që u diskutua në takim me ministren ishte se ata që janë larguar nga puna, duhet të rikthehen. Këta njerëz, që u është filluar procedura e largimit, nuk rezultojnë të jenë në turne.

Kontrollorët kanë shtruar këto kërkesa:

-Rikthim i kolegëve në punë për të cilët pretendohet se janë hequr padrejtësisht;
– Shfuqizim i vendimeve të bordit;
– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;
– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;
– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.

*Tiranapost.al.

Dokumenta bashkëngjitur