Aktualitet

Rrumbullaku zbulon masat për 6 dhjetor: Protesta e opozitës do lejohet vetëm jashtë perimetrit të sigurisë!

Rrumbullaku zbulon masat për 6 dhjetor: Protesta e opozitës do lejohet

Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamed Rrumbullaku në një konferencë për mediat ka zbuluar detaje nga masat e sigurisë të marra më 6 dhjetor, dita që do të mbahet samitit BE-Ballkan Perëndimor.

Rrumbullaku tha se perimetri i Sigurisë fillon nga Rinasi, në Kashar, e gjitha rruga nga Kashari deri në rrethrrotullimin “Shqiponja” në drejtim të Astirit. Po ashtu, vijohet me zonën e Kopshtit Zoologjik, Unaza e Re, deri në Sauk dhe më pas Rruga e Elbasanit deri në zonën e stadiumit “Air Albania”.

“Të gjithë rezidentët që janë brenda këtij territori, i vetmi kufizim do të jetë lëvizja me mjete. Nuk do të lëvizet me mjete, por në këmbë. Ky rregull vjen edhe për shkollat. Secili duhet të paraqesë dokumentet për vendin e punës.

Dua të siguroj nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda permitetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor”, tha Rrumbullaku.

Gjithashtu Rrumbullaku, tha se Policia nuk do të ndalojë protestën e opozitës, por garanton mbajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë.

“Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar.

Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar. Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, tha Rrumbullaku.