Aktualitet

Rruga e Arbrit hapet më 29 Nëntor për udhëtarët

Rruga e Arbrit hapet më 29 Nëntor për udhëtarët

Rruga e Arbrit do të hapet për qarkullim të mjeteve në datë 29 Nëntor, ka njoftuar të shtunën Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve përmbyllëse.

Nga kantieri, Ministrja Balluku tha se aksi po hapet para afatit kontraktual, që është pranvera e vitit 2022, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve për zonën verilindore të vendit tonë, para stinës së dimrit.

Ndërkohë, Ministrja e Infrastrukturës u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të bëjnë shumë kujdes, dhe mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, sepse ende po kryhen punime në segment.

“Po e hapim para afatit për të lehtësuar qarkullimin gjatë dimrit dhe padyshim jemi në kushtet e kantierit, kështu që duhet shumë kujdes nga drejtuesve të automjeteve përsa i përket kalimit këtu.

Jam me drejtor Qaton këtu, sepse ju do të merrni në dorëzim këtë aks për sigurinë rrugore dhe do ta monitoroni deri kur të jetë i përfunduar. Moti nuk na ndihmon shumë, por HEC-et e Drinit po mbushen.

Kjo është një rrugë në verilindje të vendit, ku shpesh ka edhe reshje dëbore, prandaj duhet të kemi shumë kujdes në përdorimin e rrugës.

Kur të ketë reshje dëbore do të mbyllim “By Pass”-in, maksimumi 5 ditë në vit dhe do të përdoret rruga e vjetër, por në ditët e tjera do të jetë totalisht i hapur” tha Ministrja Balluku midis të tjerash.

Tiranapost.al