Aktualitet

Rikthehet në apel çështja e Saimir Tahirit. Avokati tregon pse do ketë trupë të re gjykuese

Rikthehet në apel çështja e Saimir Tahirit. Avokati tregon pse

Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Tahiri do të vijojë kështu përballjen me drejtësinë në Apelin e GJKKO. Në reagimin e parë të tij pas vendimit të njoftuar nga Gjykata e Lartë, ish ministri tha: Do të ndjekim procedurën dhe do të shkojmë prapë në Apel!

Më me detaje ka shpjeguar avokati i tij Maks Haxhia i cili tha se janë kryer shkelje procedurale të konstatuara nga Gjykata e Lartë. Sipas avokatit, në Apelin e GJKKO do të kërkohet sërish pafajësia ndaj akuzave për Tahirin, dhe se tanimë çështja do të kalojë për rigjykim nga një tjetër trupë gjykuese.

Maks Haxhia:

“Kërkimet tona ishin më të gjera se vendimi i Gjykatës. Kolegji i Apelit, ne dhe dy kolegët e tjerë e shtrimë ankimin në kërkim final, për ta zgjidhur në themel. E rrëzoi kërkesën, u përqëndrua në shkeljet proceduriale. U shpreh që procesi pa i hyrë themelit, që ne ndajmë mendime të ndryshme, por kur flet Gjykata e Lartë, vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe paraqiti dhe arsyet që ka të bëjë me shkelje të rënda proceduriale që cënonin vendimin. E ktheu çështjen në po të njëjtën gjykatë me tjetër trup gjykues. Ne jemi në insistimin tonë, të pandërprerë që kërkojmë pafajësi.

Në tre pika kryesore ishin shkeljet, në gjykim kanë marrë pjesë gjyqtarë që kanë cënuar paanëshmërinë dhe pozicionin e individit në proces penal, kanë dhënë vendim me fakte të lidhura ku nuk u shkëputën dot nga interpretimi i fakteve. Edhe pse këta gjyqtarë kërkuan dorëheqjen, nuk iu miratua. Gjykata ose autoriteti nuk e pranoi.

Gjyqtarja Albana Boksi dha dorëheqje, drejtuesi i Gjykatës edhe pse e kishte me shkrim nuk e pranoi. E dhamë edhe këtë shkak në Gjykatën e Lartë. Gjykata e pranoi si shkelje. Çdonjeri që ka problem me drejtësinë do të shkëputet sa më shpejt. Jam apo s’jam i kënaqur e di unë. Unë e shoh më nga brenda drejtësinë. Strategjia e radhës është që çështja të shkojë në Apel dhe do të insistojmë për pafajësi.”

***

SPAK kishte kërkuar që të lihej në fuqi vendimi i apelit të GJKKO për rigjykim të Saimir Tahirit, ndërkohë që ish ministri kërkoi ndryshimin e vendimit të Apelit dhe kthimin po në këtë shkallë me tjetër trupë gjykuese. Relatori i çështjes është gjyqtari Ilir Panda, ndërkohë që Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe janë anëtarë të Trupit Gjykues.

Dënimi i Saimir Tahirit ishte 3 vite e 4 muaj për shpërdorim detyre, dënim që u konvetua me shërbim prove.

Ish ministri u akuzua për tre vepra penale: “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në disa episode trafikimi droge, por akuzat janë hedhur poshtë nga vetë ish ministri dhe avokati i tij.

*Tiranapost.al.