Aktualitet

REL: BE do dërgojë mbi 600,000 doza vaksinash në Ballkan

REL: BE do dërgojë mbi 600,000 doza vaksinash në Ballkan

Bashkimi Evropian (BE) po angazhohet në mënyrë intensive që të mundësojë dërgimin e vaksinave kundër COVID-19 në Ballkanin Perëndimor. Burime në selinë e institucioneve të BE-së në Bruksel kanë treguar për REL se bëhet fjalë për rreth 651 mijë doza të vaksinave Pfizer/BionTech, të cilat do të shpërndahen në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i dërgesës së këtyre vaksinave është imunizimi i profesionistëve shëndetësorë dhe grupeve tjera me përparësi.

Këto vaksina do të vijnë direkt nga BE-ja, dhe janë të pavarura nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

BE-ja është duke punuar për të arritur të ashtuquajturën marrëveshje trepalëshe, e cila do të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor, kompaninë Pfizer dhe vetë BE-në.

Sipas këtyre burimeve, Austria do jetë vendi që do ndihmojë në anën administrative të shpërndarjes së vaksinave. Në dhjetor të vitit 2020, Komisioni Evropian ndau 70 milionë euro për furnizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, zhvilloi sot një bisedë me ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor përmes video-lidhjes. Ai tha se në këtë bisedë u diskutuan edhe veprimet e fundit për të siguruar shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19.

REL: BE do dërgojë mbi 600,000 doza vaksinash në Ballkan

*Tiranapost.al.