Regjistrimet e nxënësve në e-Albania do të vijojnë deri më 30 shtator
Të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar, të cilët ende nuk janë regjistruar nëpërmjet portalit e- Albania, por vijojnë mësimin fizikisht, do të mund të regjistrohen online brenda datës 30 shtator.
Siç njofton Ministria e Arsimit, shtyrja është bërë nisur nga fakti se, viti 2023-2024, është viti i parë shkollor, ku, i gjithë dokumentacioni shkollor (regjistra, fletë informuese për prindërit, dëftesa, etj.), do të realizohet vetëm nëpërmjet sistemit SMIP.
Ministria e Arsimit dhe Sportit u ka bërë apel të gjitha strukturave të saj të varësisë si, DPAP, DRAP, ZVAP dhe drejtorive e institucioneve arsimore, të mbështesin dhe asistojnë personat që ushtrojnë përgjegjësi prindërore, që asnjë nxënës të mos mbetet i paregjistruar brenda afatit të përcaktuar.