Aktualitet

Rasti i SPAK me Thoma Gëllçin dhe gazetarët që shpesh ngatërrojnë një aksident me biçikletë me shembjen e një qytetërimi

Rasti i SPAK me Thoma Gëllçin dhe gazetarët që shpesh

Lutfi Dervishi, ngre disa pyetje, por edhe konstatime në lidhje me rastin e arrestimit të ish-Drejtorit të RTSH-së,Thoma Gëllçi, ku Dervishi ka mbajtur qëndrim kritik ndaj SPAK, por edhe medias që në shumicën e rasteve më shumë sesa të vërtetën ka raportuar spektaklin.

Në një shënim të gjatë Dervishi argumenton: 24 orë pas lajmit të “bujshëm” të SPAK-ut për arrestimin e ish drejtorit të RTSH, i transmetuar nga media pa përgjegjshmëri në rastin më të mirë dhe me keqdashje të dukshme në disa raste, situata është krejt tjetër nga ajo që iu paraqit publikut.

Së pari, në titra dhe në cicërimet e lexuesve të lajmeve thuhej për një abuzim me tenderin 84 milionë lekë. A thua se tenderi kurrë nuk është bërë dhe pajisjet janë tretur?!

Pasi lexon 12 faqet e akuzës pyetja është a ka dëm? Sa është dëmi?! Kush është përgjegjës?

Në qendër të ciklonit ishte ish drejtori i RTSH i cili sot ndodhet i arrestuar, por nuk akuzohet as për korrupsion, as për shkelje të pabarazisë në tendera. Gjykohet për tolerancën dy javore për sjelljen e materialeve nga firma. Një problem administrativ që do të zgjidhet nga gjykata. Akuza është për shpërdorim detyre, - një akuzë të cilën nuk e ka në kopetencë për ta gjykuar SPAK, por prokuria e Tiranës.

Pyetje: heton SPAK shpërdorimin e detyrës?

Ish Drejtori RTSH nuk ka lidhje me tenderin e zhvilluar!

Ky hetim prej më shumë se tre vitesh ka nisur si rezultat i ankesës së firmës që nuk ka fituar tenderin. Vendim marrja e KVO (komisionit të ofertave) është gjykuar në komisionin e Prokurimit organi qendror i ankesave për tenderat! Ankesa e kompanise është rrëzuar! Kjo ankesë është gjykuar edhe në gjykatë dhe gjykata e ka rrëzuar!

Por përtej detajeve që do t’i sqarojë gjykimi, të bën përshtypje raportimi i papërgjegjshëm i medias, raportim që të kujton një thënie të George Bernard Shoët- gazetarët shpesh nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes një aksidenti me biçkletë dhe shembjes së një qytetërimi.

Përveç gjykatës që do të shprehet, është edhe një gjykatë e opinionit publik është edhe koha si gjykatësi më i mirë.

Për sot, jam i bindur se fushata e linçimit më shumë se të akuzuarin njollos SPAK i cili me sa duket nuk e ka të qartë as rolin, as vendin as hapësirën që duhet të zerë në misionin e rikthimit të besimit të publikut te drejtësia.

Nëse SPAK- mendon se do të ofrojë spektakël, apo ca më keq të përdoret për qëllime të tjera e ka gabim. Këtu media është e pakonkurrueshme si në ofrimin e spektaklit ashtu edhe në vetëpërdorimin e shëmtuar!

Tiranapost.al