Aktualitet

Rama sqaron çështjen McGonigal: Po shfrytëzohet politikisht një proces gjyqësor i SHBA-së që s`ka asnjë lidhje me Shqipërinë

Rama sqaron çështjen McGonigal: Po shfrytëzohet politikisht

Në Kuvend ka nisur prej orës 10:00 seanca plenare maratonë, që do të zgjasë 24 orë, për çështjen McGonigal.

Secili deputet do të mbajë fjalën nga 10 minuta dhe opozita do të shtrojë pyetjet drejtuar kryeministrit Rama.

Gjatë fjalës së tij kryeministri tha se një process gjyqësor në Amerikë po shfrytëzohet politikisht në Shqipëri.

Çfarë ka ndodhur konkretisht? Rama sqaron çështjen McGonigal.

“Prej javësh ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, qeverinë dhe mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht? Një ish zyrtar i lartë i FBI, ish shefi i kundër inteligjencës amerikane në Nju Jork akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Gjatë hetimeve prokurorët kanë konstatuar edhe një sërë shkeljesh që lidhen me udhëtimet e McGonigal ku akt akuza shënon se ka vizituar Shqipërinë dhe është takuar me mua. Akt akuza nënvizon se ka marrë para borxh nga personi A. Në rreshtat e akt akuzës përmendet edhe hetimi amerikan i parave ruse të PD-së ku shënohet edhe që personi A ka marrë një material nga zyra ime për këtë çështje. Akt akuza flet edhe për një person B këshilltar i jashtëm i imi disa vite më parë. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç McGonigal.

Pavarësisht se pas një hetimi të gjatë për të cilin kam marrë vesh vetëm kur jam pyetur nga një gazetar amerikan i Insider, në të gjithë rreshtat e akt akuzës nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë të dhënë tjetër përveç raportimit korrekt të takimeve të mia me zyrtarin e lartë amerikan, apo faktin e vërtetë se ai ka folur me mua për rrezikun rus.

Dihen, njihen dhe shquhen botërisht për nisma të kësaj natyre ata që më akuzojnë mua në këtë sallë. Janë po ata që kur ishin në pushtet i kanë bërë të gjitha të zezat dhe jo vetëm s’ka nevojë për shumë shpjegime rreth tyre, por unë skam ardhur sot dhe s’do të vijë më për ta. Këtu do vijë sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve që përfaqësoj dhe në respekt të deputetëve të shumicës që s’mund t’i lija vetëm”, tha Rama.