Aktualitet

Rama reagon në Twitter për çështjen ‘Mcgonigal’: Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës!

Rama reagon në Twitter për çështjen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në Twitter për akuzat e opozitës për lidhjet e tij të supozuara me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, duke i quajtur një shpifje.

Kryeministri mungoi në interpelancën e sotme në Kuvend lidhur me këtë çështje.

“Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!

Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.

Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”, shkruan kryeministri.