Aktualitet

Rama reagon ndaj kërcënimeve serbe ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi

Rama reagon ndaj kërcënimeve serbe ndaj Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme ndaj kërcënimeve të hapura ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.

Përmes një mesazhi në Twitter, Rama thotë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Europa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme,” shkruan Rama.

Rama reagon ndaj kërcënimeve serbe ndaj Maqedonisë së Veriut

Në një intervistë për televizionin kombëtar serb “Pink”, ministri Vuçeviq ka thënë se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë zemëruar aq shumë Serbinë kur njohën shtetin e Kosovës sa mund ta pësojnë si Ukraina.

“A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A flini të qetë? Ata (Mali i Zi e Maqedonia e Veriut) mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe se i kanë zgjidhur problemet e tyre… Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, apo Aleancës së NATO-s, menduan se i kishin zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë më nuk mund të ju ndodhë”, u shpreh ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeqiv.