Rama sulmon Berishën dhe Metën për “përdorim” të tragjedisë së Himarës
Kryeministri Rama ka reaguar edhe njëherë me një status të gjatë për tragjedinë e ndodhur në Himarë, ku një skaf goditi për vdekje 7-vjeçaren që luante pranë bregut. Rama sulmon Berishën dhe Metën, referuar si "non gratat" dhe "ata me identitet të dyfishtë", të cilët orët e fundit kanë vijuar sulmet politike duke lajmëruar se do t`i bashkohen protestës civile.
"Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s'lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!
Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!
Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.
Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s'ekzistonin!
Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!
Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!
Uroj edhe njëherë që drejtësia t'i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!", shkruan Rama në Twitter.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik. J.A humbi jetën në breg.
Personi që drejtonte skafin ishtë një oficer policie, Arjan Tase dhe u arrestua menjëherë.
Familja Avdija nga Tropoja e cila prej vitesh jetonte në Britani ishte kthyer në Shqipëri për pushime, të cilat u kthyen në tragjedi.