Aktualitet

Rama paralajmëron kompanitë që nuk deklarojnë pagën reale: Do ju qepemi nga pas

Rama paralajmëron kompanitë që nuk deklarojnë pagën

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij, Rama akuzoi kompanitë që nuk deklarojnë pagën reale të punonjësve, dhe paralajmëroi nisjen e një fushate kundër kompanive të ndërtimit që fshehin pagat reale të punonjësve.

“Problemi ynë është që të reflektohet rritja reale e pagës në sektorin privat. Ne nuk mund ta pranojmë që një kompani ndërtimi deklaron paga nga 500 deri në 600 mijë lekë të vjetra, sepse e dimë që paga të tilla nuk ekzistojnë në këto kompani. Për këtë arsye do të ndërhyjmë! Ua kemi bërë të qartë kompanive dhe punëdhënësve që kjo është grabitje. Ne do t’u qepemi mbrapa të gjitha kompanive për t’u marrë pjesën që u takon pensionistëve, ashtu siç iu qepëm atyre që e merrnin energjinë pa e paguar. Gjysma e popullit, përfshirë dhe pensionistët, të cilët ishin paguesit më të rregullt të energjisë, paguanin dhe për gjysmën tjetër. Kjo nuk mund të funksionojë më,” tha Rama.